Konkurrenca, bombë në lokalin pranë
Klientela e shumtë në një nga ambientet në plazh duket se ka çuar në gjetjen e mënyrave për zbrazjen
DURRËS - Forma e zhvillimit të konkurrencës së pandershme mes subjekteve tregtare në plazhin e Durrësit është paraqitur në oret e vona të natës me një pamje mjaft brutale. Qindra pushues janë tronditur nga një njoftim se një bombë e vënë në një lokal do të shpërthente gjysmë ore më pas.
Një gjë e tillë ka alarmuar policinë, e cila ka bllokuar rrugëkalimet e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të vendit të dyshuar. Ndërkohë, oficerët kanë larguar pushuesit që ishin aty dhe në zonën rrotull, ndërsa kanë mbërritur forca të specializuara, si dhe qenë të stërvitur për zbulimin e minave. Pas një pune disaorëshe ka rezultuar se alarmi ishte i rremë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së premtes kur policia është njoftuar se në një nga lokalet e plazhit ishte vënë një bombë. Teksa është zbuluar emri i personit që rezultonte pronar i numrit nga i cili u krye telefonata, rezultoi se ky i fundit e kishte shitur këtë numër tek dikush tjetër, i panjohur. Pas hetimeve të kryera, tashmë dyshohet se gjithçka ka ndodhur për motive konkurrence.
Në lokalin e boshatisur ku pretendohej se ishte bomba në momentin e ngjarjes ndodheshin rreth 3000 klientë. Të gjithë ata janë larguar, ndërkohë që dyshohet se telefonata e kryer ka pasur vetëm qëllimin e largimit të klientelës nga ky vend.