Nuk shlyente dot kredinë, vetëhelmohet ushtaraku
Policia gjeti të vdekur në banesën e tij, Bekim Sulejmanin,
TIRANE- Vetëhelmohet kapteri i Ushtrisë, nga pamundësia për të shlyer një kredi konsumatore që kishte marrë. Bekim Sulejmani, 25 vjeç, është gjetur i vdekur dje në mëngjes në banesën e tij të marrë me qera në rrugën "Bajram Curri.
Ngjarja është konstatuar mëngjesin e djeshëm, nga kolegët e viktimës të cilët i kanë telefonuar për të komunikuar me të për faktin e mos paraqitjes në punë në një nga repartet që ndodhen në rrugën "Myslym Keta", në Tiranë.
Sipas burimeve të policisë, viktima është gjetur mesditën e djeshme në një apartament që ndodhet në rrugën "Bajram Curri", ku ai jetonte prej më tepër se dy vitesh, që kur kishte nisur punën në Ushtri.
Sipas burimeve të policisë, efektivi i ushtrisë, kishte ndërruar jetë në banesë, ndërsa kishte pasur mundësi për t'i marrë ndihmë nga ndonjë njeri. Dje në mëngjes kur ai nuk është paraqitur në punë, kolegët e tij janë interesuar për të duke i telefonuar në celular, por ai nuk është përgjigjur.
Pas disa thirrjeve të njëpasnjëshme të mbërritura në telefonin e tij, të cilat nuk kanë marrë asnjë përgjigje, si dhe pas komunikimit me të njohur të ndryshëm, është dyshuar se diçka mund të ketë ndodhur. Ndërkaq policia që është njoftuar ka nisur menjëherë veprimet e saj për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga policia dhe ekspertët e saj është konstatuar se Sulejmani, kishte kryer vetëvrasje nëpërmjet konsumimit të një sasie helmi që sipas burimeve të policisë ka qenë fostoksinë.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar se kishte të bënte me një vetëvrasje. Ndërkaq, dje të afërmit e tij, kanë tërhequr trupin për t'i kryer nderimet e fundit Sulejmanit në vendilindjen e tij në Tropojë.