Dogji ish- gruan me acid, gjykata e lë të lirë
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi të lërë dje të lirë, 26 -vjeçarin Elton Alia, i arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë të ish- bashkëshorten e tij Sabina Karaj nëpërmjet djegies me acid.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të gjykatës të cilët pohuan se në materialet e dërguara në prokurori nga policia dhe nga provat e administruara prej hetuesve nuk është arritur të provohet se autorësia e krimit të mërkurës kur Elton Alia, sulmoi pranë Ministrisë së Drejtësisë, ish- bashkëshorten e tij Sabina Karaj si dhe Dhurata Tërshanën, 25 vjeçe, që shoqërohej me të. Këto të dyja, sipas burimeve të policisë, morën plagë të rënda të shkallës 15 për qind, duke marrë edhe dëmtime serioze në trup.
Policia pas mbërritjes në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, identifikoi si të dyshuar Elton Alinë, i cili u arrestua menjëherë nga policia. Ndërkaq, gjatë kontrollit të kryer në banesën e tij, blutë gjetën vetëm disa thika të cilat u administruan nga hetuesit si armë të ftohta.
Ndërkaq në lidhje me ngjarjen për të cilën ai u dyshua, nuk u gjetën prova, çka bëri që policia ta arrestojë si të dyshuar dhe me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pavarësisht deklarimeve të të dëmtuarave. Dje Gjykata e shkallës së parë në kryeqytet, la në gjendje të lirë me masën e detyrimit të paraqitjes në organet hetimore të Alisë, duke i dhënë atij lirinë pavarësisht se ai ishte ndaluar me akuzën e plagosjes së rëndë me lëndë djegëse acid, të dy femrave një prej të cilave ish- gruaja e tij.