Petro Koçi: “Procesi i letërnjoftimeve po ecën me hapin e breshkës”
Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, Petro Koçi, ka shprehur shqetësimin për ritmin e ngadaltë të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Ai është shprehur se ky proces po shkon drejt dështimit dhe kjo gjë ndodh në momentin që Shqipëria pranohet si anëtare me të drejta të plota në NATO. “PSV ‘91 gjykon se është e palejueshme që në momentin historik të Samitit të Strasburgut dhe anëtarësimit tonë me të drejta të plota në NATO, Shqipëria të rrezikojë përmbushjen e standardeve zgjedhore. Detyrimi shtetëror i pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti po ecën me ritmin e breshkës. Politika hileqare shqiptare, mjaftueshmërisht e zonja për të bërë pazarin për kartën themelore të shtetit, po rezulton e paaftë të merret vesh për kartën e identitetit dhe po bën një teatër ku njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Për fajin e ri të politikës, shpërndarja e kartave të identitetit ka hyrë në krizë, duke rifutur në krizë standardet dhe vetë procesin zgjedhor”, - është shprehur Koçi, ndërsa ka propozuar një listë me kërkesa për përmbushjen e këtij standardi. “Të unifikohet qëndrimi publik i partive politike përsa i përket nxitjes së shtetasve në pajisjen me karta identiteti si dhe për çmimin e kartave. Qeveria dhe opozita të bisedojnë në nivel ekspertësh për çështjen e çmimit të kartave të identitetit. Bashkia e Tiranës dhe njësitë e tjera vendore të Republikës të mos kushtëzojnë me pagimin e taksës vjetore dhënien e certifikatës kur ajo kërkohet nga qytetari për të marrë kartë identiteti”, - është shprehur Koçi.
6 Prill 2009