E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet babai, nxirrte fëmijët për të lypur

Ngjarja

Jetonte duke shfrytëzuar të katër fëmijët e tij si lypsa, ndaj Policia e Elbasanit e ka proceduar penalisht. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Elbasanit, rreth orës 16:00 të një dite më parë, ka filluar procedimi penal për Astrit Perçin, 31 vjeç, lindur në fshatin Xibrakë të Komunës Shalës në Elbasan dhe banues në fshatin Vaqarr të Rrethit Tiranë. Sipas burimit në fjalë, procedimi ndaj tij filloi pasi në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Elbasanit. 31-vjeçari kishte nxjerrë për të lypur katër fëmijët e tij të mitur: M.P., 9 vjeç, P.P., 7 vjeç, R.P., 6 vjeç dhe K.P., 2 vjeç. Ata lypnin nëpër rrugët e kësaj lagjeje. Më pas këto para që fitonin nga persona të ndryshëm ia jepnin babait të tyre, Astrit Perçit, për të jetuar. Ndërkohë, ky i fundit ka pohuar në polici se ishte larguar nga Rrethi i Elbasanit për të jetuar më mirë në Vaqarr të Tiranës, por atje kishte mbetur pa punë dhe tokë, së bashku me gruan e tij.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›