E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës ndryshon linjë, tashmë skafe nga Greqia dhe Italia

Krimet e Rënda marrin dosjen 1-tonëshe nga Saranda. Dyshohet se ishujt grekë të pabanuar përdoren si “magazina” për hashashin

Moratoriumi antiskaf i vendosur nga mazhoranca aktuale ka “bllokuar” skafistët shqiptarë për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë e Greqisë, duke sjellë përfitime kolosale nga shtetasit e huaj, të cilët tashmë drejtojnë të gjithë linjën e trafikut në vendin tonë. Të dhënat vijnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka marrë në dorë një dosje të ardhur nga Prokuroria e Sarandës, ku është sekuestruar rreth një ton hashash, i destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit. Nën akuzë është vënë një shtetas, ndërsa persona të tjerë dyshohen se janë pronarë dhe bashkëpunëtorë. Megjithatë, hetimet e Krimeve të Rënda janë futur deri në detaje, dhe brenda një kohe të shkurtër, nisur nga të dhënat e marra nga burimet operative, është zbuluar edhe linja e trafikut. Sipas hetuesve të çështjes, droga merret nga vendburimet e hashashit në Shqipëri dhe dërgohet në brigjet e detit Jon, në afërsi të Rrethit të Sarandës. Pasi shkon në breg, skafe nga Greqia dhe Italia, duke përdorur edhe netët kur nuk ka patrullim policor detar, marrin hashashin dhe e dërgojnë përtej kufirit, duke konsumuar në këtë mënyrë akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Ndryshon linja

Ekspertë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklarojnë se tashmë ka ndryshuar edhe linja e trafikut të drogës. Skafistë grekë dhe italianë depërtojnë me lehtësi në brigjet shqiptare dhe marrin tonelata me lëndë narkotike, duke i trafikuar në vendet perëndimore. Duke marrë si shembull disa dosje që janë për hetim, ekspertët e prokurorisë deklarojnë se një pikë kyçe e trafikut është qyteti i Sarandës dhe rrethinat e tij, duke devijuar nga qytetet tradicionale për trafikun e drogës si Vlora dhe Gjirokastra. Lënda narkotike mblidhet në Vlorë e Gjirokastër dhe tashmë trafikohet në Sarandë. Sipas informacioneve operative të mbledhura nga oficerët e policisë gjyqësore, mësohet se dy ishuj grekë të pabanuar në afërsi të Korfuzit përdoren si “magazina” për trafikantët. Ata realizojnë dy-tri xhiro për në Shqipëri dhe lëndën narkotike e depozitojnë pikërisht te këta ishuj. Më pas, pasi “ujërat” të qetësohen dhe të mos ketë patrullim, lënda dërgohet në Itali dhe Greqi. Organizatat kriminale të drogës po ndërkombëtarizohen, pasi kryerja e veprave penale shtrihet në disa shtete.

Operacionet

Prokuroria e Krimeve të Rënda e ushtron veprimtarinë kryesisht për shkatërrimin e organizatave kriminale. Pas arrestimit të disa bandave që merreshin krahas trafikut edhe me vrasje, puna e tyre po përqendrohet pikërisht për evidentimin e bandave që kryejnë trafik droge dhe armësh. Viti që lamë pas ka shënuar pikun e kapjeve të sasive të lëndëve narkotike, ndërsa së fundmi ka nisur një hetim në pesë shtete për lëndët narkotike që trafikoheshin nga Shqipëria në Itali. Në këtë grup, të quajtur “Drita e diellit”, të akuzuar janë shtetas shqiptarë, italianë, zviceranë, belgë dhe grekë. Pra, shtrirja e grupit ishte e madhe dhe të gjithë kishin një rol në organizatë. Së fundmi, Krimet e Rënda kanë marrë në dorë dosjen ku është sekuestruar në Bregun e Kasolles në afërsi të Gjirit të Kakomesë, në Sarandë, rreth një ton hashash. Sekuestrimi është bërë në sajë të bashkëpunimit të policisë së Sarandës, të Vlorës dhe “Guardia di Financës” italiane. Droga ishte prodhuar në Lazarat dhe e transportuar me furgon do të mbërrinte në vendin e quajtur Bregu i Kasolles në afërsi të Gjirit të Kakomesë. Ndërkohë, skafe të nisura nga brigjet italiane dhe greke drejt ujërave shqiptarë do të bënin transportimin e 1 ton kanabisit. Operacioni ka nisur njëkohësisht në të dy shtetet. Policia shqiptare u vu në ndjekje të furgonit me targa VL6394B, i cili transportonte lëndën narkotike. Drejtuesi i mjetit, kur ka pikasur se po ndiqej nga policia, ka braktisur mjetin në mes të rrugës përgjatë aksit nacional Himarë-Sarandë. Prokuroria thotë se ka bërë identifikimin e drejtuesit të mjetit, si dhe të dy personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›