E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet banda e falsifikatorëve

KORÇE – Një grup falsifikatorësh “universalë” janë zbuluar në qytetin e Korçës gjatë një operacioni të koduar “Porosia e fundit”, ndërsa katër persona janë vendosur në pranga. Thimi Palla, 51 vjeç, Kostaq Gjoka, 45 vjeç, Izajmir Duro, 33 vjeç, Jani Shabani, 42 vjeç, të gjithë nga qyteti i Korçës, janë arrestuar në kushtet e flagrancës pasi prej kohësh falsifikonin një gamë të gjerë dokumentesh, të cilat përdoreshin edhe jashtë vendit tonë. Një pjesë e këtyre dokumenteve dyshohet se janë shfrytëzuar nga persona me precedentë për të kaluar kufirin. Sipas Policisë, të arrestuarit merrnin shuma nga 500 deri në 1200 euro për falsifikimin e dokumenteve zyrtare si patenta, leje qarkullimi, pasaporta biometrike dhe të huaja (greke, franceze, italiane) etj. Prej muajsh sinjalizimet për veprimtarinë e grupit kishin bërë që ata të ndiqeshin dhe kanë qenë përgjime të shumta, të cilat kanë sjellë edhe sigurimin e provave të mjaftueshme për arrestimin e tyre. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se në gjurmët e grupit është rënë pasi është marrë sinjali fillestar përmes personave të ndryshëm, të cilët deklaronin se mund të siguroheshin dokumente false kundrejt pagesave të ndryshme dhe menjëherë kanë nisur hetimet. “Ne kemi rreth 3 muaj që kemi nisur hetimet ndaj këtyre personave dhe kemi siguruar provat e mjaftueshme për aktivitetin e tyre. Janë të paktën 3 dokumente të falsifikuara në dhjetë ditët e fundit nga 4 të arrestuarit. Rasti i fundit që ne kemi dokumentuar ka qenë pikërisht një ditë më parë, kur një person ka dhënë një shumë lekësh në këmbim të një dokumenti ndërkombëtar”, thanë burime të Policisë së Korçës.                dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›