Kapshticë, ministri Noka: Lehtësi në qarkullim për emigrantët

Ministri Noka dje në Kapshticë
KAPSHTICE – Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka garantuar nga Korça lehtësi për lëvizjen e emigrantëve në pikat doganore, por edhe mbarëvajtjen e sezonit turistik për pushime dhe qëndrim të qetë. Teksa është ndalur në pikën doganore të Kapshticës, ku ka kryer një inspektim të detajuar, ministri Noka ka premtuar rritje të shpejtësisë së përpunimit të dokumentacionit për emigrantët, por edhe për shtetasit shqiptarë, gjë që do të shmangë tmerrin e pritjes për orë dhe net të gjata në dogana. Sakaq, ministri ka vlerësuar edhe rritjen e shifrës së turistëve të huaj, të cilët hyjnë në vendin tonë për të pushuar. “Pika doganore e Kapshticës është një nga boshtet e lidhjes me Greqinë. Konstatova me kënaqësi se fluksi i vizitorëve është shumë më i lartë krahasuar me një vit më parë. Në këtë fluks ka ndikuar edhe numri i turistëve të huaj që hyjnë në Republikën e Shqipërisë për të pushuar, dhe them se ky është një tregues i qartë i atraksionit dhe sigurisë që ofron Shqipëria. Konstatuam që koha e përpunimit të dokumentacionit është vetëm në disa sekonda, çka bën që radhët kilometrike, pritjet me orë, t’i përkasin një kujtimi të së shkuarës”, deklaroi Noka. Sipas tij, janë marrë masat për të shtuar sportelet dhe punonjësit në të gjitha pikat e Republikës së Shqipërisë. “Konkretisht, – deklaroi ministri, – me palën greke është nënshkruar marrëveshja për të pasur lirshmëri në qarkullimin e shtetasve shqiptarë apo të huaj për hyrje dhe dalje nga territori”. dh.d