E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet biznesmeni mashtrues, e denoncuan kreditorët



BERAT – Shfaqen sërish skemat mashtruese të piramidave. Pas denoncimeve të disa qytetarëve, policia ka arrestuar një sipërmarrës, i cili kishte blerë kombinatin e tekstileve në Berat. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se në orët e vona të së hënës është ndaluar shtetasi Agim Matuka, pasi akuzohet për mashtrim me shuma të mëdha. Sipas burimeve nga policia vendore, Matuka ishte paraqitur një biznesmen dhe u ka marrë para borxh disa qytetarëve, me justifikimin se do të privatizojnë ish-ndërmarrjen shtetërore të Kombinatit të Tekstileve dhe më pas do të bëjë një investim atje.
Arrestimi
Pasi kishte mashtruar disa persona në qytetin e tij, duke u marrë shuma të mëdha parash, një biznesmen nga Berati është ndaluar nga policia. Informacionet e para bëjnë të ditur se biznesmeni shumë i njohur në këtë qytet, Agim Matuka, është akuzuar për mashtrim me shuma të mëdha. Këto para mësohet të jenë marrë gjatë privatizimit të Kombinatit të Tekstileve në këtë qytet. Pas arrestimit Matuka është dërguar në ambientet e policisë lokale ku dhe është marrë në pyetje. Mësohet se kanë qenë disa denoncime të bëra ndaj biznesmenit të njohur që kanë vënë policinë në lëvizje. Pas sigurimit të provave policia ka vendosur ndalimin e tij. Burime policore thanë se, hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Berat.
Rastet
Mashtrimet me shuma të mëdha janë shfaqur jo rrallëherë që prej shembjes së skemave piramidale në vendin tonë. Disa muaj më parë policia e Korçës arrestoi dy persona, pasi ata iu kishin marrë shuma të konsiderueshme parash disa qytetarëve për të bërë investime në fushën e industrisë së ndërtimit. Madje ata kishin nisur të ndërtonin në periferi të qytetit të Korçës edhe një fabrikë tullash. Por ata nuk arritën të shlyenin në kohë borxhet, gjë që i detyroi kreditorët të bënin denoncime. Më pas, dy personazhet e njohura të biznesit korçar u arrestuan dhe ndaj tyre nisën hetimet nga organi i akuzës.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›