E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Tiranës bën analizën vjetore, shifrat më të dobëta se 2007-a



Tiranë - Sektorët dhe drejtoritë e Prokurorisë së Tiranës kanë dorëzuar këtë fillimviti analizën e punës së tyre përkatëse për vitin 2008. Këto analiza u përgatitën nga sektorët përkatës në mesin e muajit dhjetor, ndërsa burime nga ky institucion bëjnë të ditur se nga të dhënat e deritanishme rezulton se në krahasim me një vit më parë (vitin 2007), ka më shumë dosje që kanë pasur tejkalim afatesh e për rrjedhojë kjo ka sjellë një bilanc negativ në raport me dërgimin e dosjeve për gjykim. Megjithatë, bilanci përmirësohet për dosjet që kanë shkuar në gjykatë, pasi vendimet gjyqësore në favor të prokurorisë kanë qenë më pozitive në raport me vitin 2007. Brenda janarit konkluzionet përkatëse të sektorëve do të përmblidhen në një raport të përgjithshëm dhe do t’i dërgohen Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa kjo e fundit, një muaj më parë, ka udhëzuar Prokurorinë e Tiranës që të fokusohet në detajimin e rezultateve dhe ecurisë për çështjet që kanë lidhje me krimin ekonomik dhe çështjet e pronave. Mësohet se në vitin 2008 denoncimet për çështje që lidhen me pronat kanë qenë gati pesë herë më të larta në krahasim me vitin 2007. Gazeta “Albania” ka informuar këto javë lidhur me çështje të rëndësishme që po administron kjo prokurori lidhur me abuzimet me pronat dhe krimin ekonomik. Në lidhje me pronat çështja më e rëndësishme është ajo e “Gjirit të Gjeneralit”, ndërsa në lidhje me krimin ekonomik është çështja “Fazlliç”. Prokurorët e çështjes “Fazlliç” i kanë komunikuar zyrtarisht pak ditë më parë avokatit të Fazlliçit, Genc Gjokutaj, interesin e tyre për ta marrë të dyshuarin Fazlliç në pyetje. Si rregull, avokati Gjokutaj do t’u komunikojë prokurorëve një datë në të cilën klienti i tij do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur para tyre. Por burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur se “avokati mund të komunikojë dhe mosdëshirën e Damir Fazlliçit për t’u paraqitur, ndërsa ai mund të autorizojë avokatin e tij për ta kryer këtë procedurë”. Megjithatë, hetuesit e çështjes janë shprehur se deri tani nuk kanë asnjë arsye që të paragjykojnë vendimin e Damir Fazlliçit për paraqitje ose mosparaqitje, ndërsa është konfirmuar fakti se avokati Gjokutaj u ka premtuar atyre një përgjigje të shpejtë pasi të marrë orientimet nga klienti i tij.
Kjo është hera e dytë që prokurorët kërkojnë të pyesin të dyshuarin për pastrim parash, Damir Fazlliç. Hera e parë ishte kur Fazlliç u paraqit në Tiranë për një intervistë televizive dhe u nis me shpejtësi drejt Rinasit (në çarterin e tij) porsa u sinjalizua se prokurorët kishin vendosur që ta pyesnin lidhur me aktivitetin e tij. Momenti kur u dërgua fletëthirrja e parë ishte shumë delikate pasi të gjitha mediat pa përjashtim flisnin dhe raportonin vetëm për këtë skandal, epiqendër e të cilit ishte Fazlliç, së bashku me disa familjarë të qeveritarëve më të lartë dhe ortakëve të tyre.

Forumi për Demokraci dhe Etikë nismon 17 janarin si “Ditë lutjeje dhe reflektimi kombëtar”

Tiranë - Forumi për Demokraci dhe Etikë bëri dje publike Nismën për ta shpallur datën 17 janar si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar. Me këtë nismë dhe me organizimin e Marshimit të Paqes në datë 17 janar, “FDE synon që ne, qytetarët shqiptarë, e bashkë me ne edhe politikanët si qytetarë, të deklarojmë solemnisht nën përgjegjësinë tonë morale, personale dhe publike, se me respektimin e datës 17 janar si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, si edhe me pjesëmarrjen tonë në Marshimin e Paqes, bëhemi vullnetarisht në liri e me ndërgjegje të plotë pjesë dhe autorë të Aleancës së Madhe të Mirëbesimit. Jemi të vetëdijshëm se në shoqërinë shqiptare ka ardhur koha për t’u ngritur, ekzaminuar, ushtruar dhe forcuar institucioni i komunikimit, mirëbesimit dhe bashkëveprimit mes palëve, duke vendosur interesin kombëtar përmbi atë partiak, dhe interesin publik përmbi atë vetjak. Me anë të mbështetjes dhe angazhimit tonë, i japim jetë dhe fuqi Aleancës së Madhe të Mirëbesimit si një institucion i nivelit moral dhe përkushtohemi për t’i shërbyer një kohe, fryme, ambienti dhe ligjërimi të ri politik në Shqipëri, ku mbi të gjitha do të mbizotërojë etika, e patjetër atmosfera e mirëbesimit, më së pari brenda vetë klasës politike, por edhe brenda vetë qytetarëve, e domosdoshmërish mes qytetarëve dhe politikës si kërkesë e detyrave dhe të drejtave tona qytetare. Alternativa jonë për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të drejtë, për një demokraci të shëndetshme, e për më shumë liri, mbetet në çdo rast dhe në çdo kohë partneriteti i politikanit me qytetarin”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Forumit për Demokraci dhe Etikë.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›