E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Dënim maksimal për vrasësit e policëve të Krujës



Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me burgim të përjetshëm për dy nga tre të akuzuarit e vrasjes së punonjësve të policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999 në Krujë. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurori i çështjes, Anton Martini, lexoi konkluzionet hetimore, duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me burg për jetë për të pandehurit Sokol Halilaj dhe Dritan Rexhepi. Ndërkohë që për të pandehurin tjetër të procesit, Shefqet Seferi, prokuroria kërkoi dënimin me 20 vjet burg. Ndërkaq, pretenca për Dritan Rexhepajn është dhënë në mungesë për shkak se aktualisht ndodhet i burgosur në burgjet italiane. Mbi Dritan Rexhepajn rëndojnë një sërë akuzash të tjera. Ky shtetas është i dyshuar edhe për kryerjen e disa krimeve të tjera të rënda në Shqipëri. Kurse nga Drejtësia italiane ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe vrasjes së mbetur në tentativë. Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, akuzohen se janë autorë të vrasjeve me armë zjarri të punonjësve të Policisë së Krujës, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në vitin 1999 në këtë qytet. Në këto atentate rastësisht është vrarë edhe shtetasi Raim Bakiasi. Tashmë, në seancën e radhës, Gjykata do të njihet me pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas do të shpallë vendimin përfundimtar. Tre të akuzuarit po procedohen nga Gjykata me procedurë normale gjykimi.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›