E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del para Gjykatës për trafik droge, denoncon policinë për dhunë



GJIROKASTËR - Ndërsa ka nisur seanca gjyqësore në ngarkim të tre shtetasve të arrestuar me 98 kg lëndë narkotike, njëri prej të pandehurve i ka treguar gjyqtarit dhe prokurorit se është rrahur nga policët në birucat e paraburgimit. 29-vjeçari Gentian Miho ka treguar shenjat e keqtrajtimit fizik, të cilat ishin të dukshme në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe veçanërisht në syrin e majtë, i cili ishte i ënjtur dhe i nxirë tërësisht. Ai ka deklaruar se pas dhunës së ushtruar mbi të është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani” për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërsa avokati mbrojtës i tij, Arjan Sotiri, ka kërkuar një konstatim nga një mjek ligjor për dhunën e ushtruar në sy dhe pjesë të tjera të trupit. Kallëzimi penal për këtë ngjarje i është depozituar prokurorit të çështjes, Spartak Çoçoli. Pas denoncimit të njërit prej të pandehurve në gjykatë për ushtrim dhune ndaj tij nga një oficer policie, ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Në një deklaratë zyrtare për shtyp mohohet kategorikisht fakti se në ambientet e policisë është ushtruar dhunë. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se në momentin e ndalimit 29-vjeçari Miho ka tentuar të largohej duke bërë rezistencë dhe duke kundërshtuar uniformat blu. “Në këto kushte forcat e policisë kanë qenë të detyruara ta shoqëronin të ndaluarin me dhunë drejt mjediseve të Komisariatit të Gjirokastrës”, - thuhet më tej në këtë deklaratë. Ky nuk është i pari rast kur avokatët denoncojnë raste të ngjashme ndaj klientëve të tyre. Pas denoncimit të bërë nga i riu për ushtrim dhune, seanca ka vazhduar normalisht. Trupi gjykues ka vendosur “burg pa afat” për tre të ndaluarit me 98 kilogramë marijuanë. Tre personat u ndaluan në orët e para të datës 4 janar në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur kafe “Bora”, ndërsa transportonin lëndën narkotike, të fshehur në mjetin me targa të Korçës. “Trafik i lëndëve narkotike” është akuza që rëndon mbi tre të ndaluarit e nëse ajo vërtetohet, ata rrezikojnë të dënohen me 7-15 vjet heqje lirie.

Dy femra plagosen me armë zjarri në sherrin për pronën

DURRËS - Sherri për pronën plagos dy gra në fshatin Rubjekë të Durrësit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se të lënduarat janë Nurie Koçi dhe Majlinda Kërtali, të cilat janë dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Për këtë ngjarje policia ka vënë në pranga shtetasit Ramazan Koçin, 26 vjeç, dhe Subi Brikën, 22 vjeç. Policia tha se arrestimi i tyre është bërë pasi kanë konsumuar veprat penale të, “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, “armëmbajtje pa leje”, nga Koçi, ndërsa Brika akuzohet për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë ditës së hënë, rreth orës 16:00, në fshatin Rubjekë, komuna Maminas. Ramazan Koçi, duke qenë nën efektin e pijeve alkoolike, ka qëlluar me një armë pushkë në drejtim të banesës së Gëzim Koçit, ku për pasojë kanë mbetur të plagosura në pjesë të ndryshme të trupit (këmbë e krahë) shtetaset Nurie Koçi, 57 vjeçe, dhe Majlinda Kërtalla, 28 vjeçe. Të plagosurat ndodhen në spitalin rajonal të jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur për motive pronësie. Pas njoftimit është bërë arrestimi i Ramazan Koçit dhe pas kërkimeve është bërë dhe kapja e Subi Brikës, i cili ishte fshehur në një banesë në Tiranë. Gjithashtu janë kryer dhe veprimet hetimore për Hasan Koçin, 52 vjeç dhe Elvis Koçin, 23 vjeç, pasi kanë kundërshtuar dhe fyer policinë, gjatë arrestimit të Ramazan Koçit. Ndaj tyre rëndon akuza e “kundërshtimit dhe fyerjes për shkak të detyrës të punonjësit të policisë”.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›