E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen bora dhe acari, zonat malore ende të izoluara



Brenda këtyre tri ditëve do të rikthehen sërish temperaturat e ftohta dhe reshjet e dëborës, ndërkohë që situata vazhdon të mbetet problematike në zonat malore të vendit. Burimet zyrtare të Shërbimit Meteorologji të Ushtrisë pohojnë se vendi ynë në tri ditët në vijim do të paraqitet me mot të paqëndrueshëm, duke nisur nga pasditja e së mërkurës. Duke filluar që nga sot, moti do të ndikohet nga vlera të larta të presionit atmosferik, me masa ajrore të ftohta dhe të lagështa, me kthjellime dhe vranësira që do të shtohen pasdite në të gjithë territorin. Ditën e enjte moti do të jetë i paqëndrueshëm, me masa ajrore të ftohta dhe të lagëta, me reshje shiu në zonat e ulëta, ndërsa në ato mbi 500 metra mbi nivelin e detit do të ketë reshje bore. Temperaturat do të jenë në zonat malore nga -4 deri në 4 gradë celsius, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdet, nga 2 deri në 12 gradë celsius.
Edhe gjatë ditës së premte moti do të vijojë të jetë i paqëndrueshëm, por me zona më të lokalizuara me shi dhe borë si dhe me temperatura, të cilat do të jenë në ulje me 2 gradë celsius.
Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme raportojnë se ka pasur përmirësime të ndjeshme të situatës në disa zona të vendit. Kështu, në Qarkun e Kukësit të gjitha akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme; Po kështu, edhe pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Kukësin me komunat, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Përjashtim bën aksi Kukës-Shishtavec, i bllokuar për shkak të ortekëve dhe rrëshqitjes së skarpateve. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, vazhdon puna për hapjen e rrugës Kukës-Dajreç, e hapur deri në fshatin Domaj, dhe është mundësuar lidhja me aksin B.Curri- Qafë Luzhë-Bytyç-Krumë. Vijojnë të mbeten të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Kalisë, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe Arrën. Në Tropojë mbetet e bllokuar komuna Lekbibaj.
Ndërsa në rrethin e Matit mbetet e bllokuar komuna Xibër dhe po punohet për hapjen e rrugës. Po kështu po punohet për hapjen e rrugëve për në komunën Trebisht të Bulqizës dhe për në komunat Reç, Selishtë e Lurë të rrethit të Dibrës.
Në Qarkun e Shkodrës është e bllokuar rruga që lidh Shkodrën me komunat Shalë, Shosh, Pult dhe Temal. Në Malësinë e Madhe e bllokuar mbetet rruga Selcë-Vermosh. Në rrethin e Pukës të bllokuara mbeten rrugët që lidhin Pukën me komunat dhe rruga Fushë Arrëz-Iballë. Në Qarkun e Lezhës po punohet për zhbllokimin e aksit Rrëshen-Kurbnesh-Lurë dhe Rrëshen-Kaçinar, ndërkohë të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme. Burimet zyrtare pohojnë se ditën e martë janë shpërndarë ndihma (ushqime, veshmbathje) me helikopter në disa komuna të veriut dhe verilindjes së vendit. Konkretisht, janë dërguar 64 kuintalë ndihma në komunat Arrën, Lurë, Iballë, Macukull, Xibër, Martanesh, Zapod, Kala e Dodës.
Prej katër ditësh i gjithë vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje dëbore, të cilat kanë bllokuar akset rrugore, kanë krijuar probleme me furnizimin e energjisë dhe ndërprerë procesin mësimor në disa zona malore.

TEMPERATURAT
Tiranë 2 dhe 11
Shkodër 0 dhe 5
Durrës 4 dhe 13
Lezhë 0 dhe 7
Kuçovë 0 dhe 12
Gjirokastër 3 dhe 7
Elbasan 2 dhe 11
Kukës -6 dhe -1
Peshkopi -7 dhe -2
Korçë -4 dhe 3
Vlorë 5 dhe 13
Sarandë 3 dhe 13

I ftohti shënon viktimën e parë në Pukë

PUKË - Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë shënuar dje viktimën e parë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se është gjetur rreth orës 14 e 30 të ditës së djeshme në afërsi të rezervuarit të qytetit të Pukës, trupi I pajetë i një 42-vjeçari. Viktima është identifikuar dhe bëhet fjalë për shtetasin Agim Kukaj, i cili ishte larguar nga banesa e tij që ditën e djeshme. Në pamundësinë për ta gjetur vetë familjarët kanë njoftuar policinë, e cila pas disa orësh kërkim ka mundur ta gjejnë të pajetë pranë rezervuarit të qytetit. Mendohet se vdekja e 42-vjeçarit ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta që kanë karakterizuar mesnatën e së hënës të gjithë rrethin. Sipas ekspertëve mendohet se vdekja e tij të ketë ndodhur rreth orës 23 të natës së djeshme.
Tri ditë më parë gjeti vdekjen një 44-vjeçar në Librazhd, ndërsa mbrëmjen e së hënës mbeten të asfiksuara dy të moshuara në Elbasan, teksa po ngroheshin përpara mangallit.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›