E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes: Aksidenti, nga pakujdesia



TIRANË - Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Albana Mustafaraj, pohoi se aksidenti ndodhi ditën e martë, rreth orës 08:10 në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, në afërsi të Repartit të Poligonit. Sipas saj, jashtë ambienteve të Repartit të Poligonit 6 punonjësit e këtij reparti, përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur përbri murit të poligonit.
Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri, një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në pjesën anësore të kokës. Ajo është shoqëruar menjëherë drejt Spitalit të Poliçanit, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës. Ministria e Mbrojtjes njofton se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij, si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mosrespektuar rregullat e sigurimit teknik në punë.

Gabimi në Gërdec mori jetën e 26 personave

Sikur të mos kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit, gjithçka mund të pritej në qendrat e çmontimit të armëve dhe municioneve, të ngritura nga qeveria. Më 15 mars të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në qendrën e demontimit të armëve në Gërdec, i cili solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Në bilancin tragjik të kësaj ngjarjeje u shtuan edhe dëmtimi i rreth 3500 banesave dhe objekteve të ndryshme të shtrira në aksin Tiranë-Durrës. Nga hetimet e bëra doli se procesi i demontimit të armëve kryhej pa zbatuar rregullat e sigurimit teknik. Madje, në këtë proces ishin përfshirë edhe gra e fëmijë, të cilët me këtë punë siguronin bukën e gojës. Ngjara solli edhe procese të bujshme hetimore në Tiranë dhe Uashington, të cilat pasuan edhe me vdekjen e dëshmitarit kyç të skandalit, Kosta Trebicka, i cili, sipas autoriteteve zyrtare, gjeti vdekjen në një aksident automobilistik në rrethin e Korçës. Aktualisht çështja është në duart e drejtësisë.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›