E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Gërdeci, plasja e djegores sjell një të vdekur dhe 2 të plagosur



POLIÇAN – Rikthehen skenat e Gërdecit, por kësaj radhe ngjarja ka ndodhur në Poliçan, ku brenda poligonit të demontimit të armëve ka ndodhur një shpërthim me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve. Kësaj radhe shkas është bërë i ftohti, pasi teksa po ngroheshin para zjarrit disa punonjës, ka plasur një djegore që ndodhej brenda në disa kartonëve, duke sjellë edhe aksidentin e rëndë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm, kur 6 punëtorët e një poligoni prove në Kombinatin Mekanik të qytetit të Poliçanit po pastronin mjediset e punës. Për shkak të të ftohtit dhe acarit ata janë përpjekur të ndezin një zjarr për t’u ngrohur, duke përdorur arkat prej druri në të cilat mbaheshin municionet. Nga pakujdesia e treguar nga punëtorët, në njërën nga arkat ndodhej një djegore, e cila nga nxehtësia, ka shpërthyer duke goditur punëtorët që ndodheshin përreth zjarrit. Sipas burimeve zyrtare, 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu është goditur në kokë gjatë shpërthimit, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që 2 punëtorët e tjerë, Krenar Hysi, 45 vjeç dhe Adriatik Hasanbelliu, 46 vjeç, janë plagosur. Të plagosurve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në qendrën shëndetësore të qytetit të Poliçanit dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Burimet zyrtare pohojnë se trupi i pajetë i 45-vjeçares Suzana Kapxhiu, nënë e dy fëmijëve, është dërguar pranë familjes për t’u përcjellë për në banesën e saj të fundit. Në vendngjarje kanë shkuar grupe ekspertësh të Policisë së Rendit dhe asaj Ushtarake, të cilët kanë rrethuar e inspektuar vendin e ngjarjes. Disa orë pas ngjarjes në Kombinatin Mekanik të Poliçanit kanë mbërritur edhe përfaqësues të Prokurorisë së Rrethit Berat dhe Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët okularë të kësaj tragjedie të ndodhur paraditen e djeshme në këtë qytet.
Policia
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat kanë pohuar se tragjedia ka ndodhur për shkak të pakujdesisë në punë të vetë punëtorëve të poligonit. Sipas saj, 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu, duke ndezur mbeturinat në brendësi të kësaj uzine, ka shkaktuar edhe shpërthimin e djegores. Nga ky shpërthim janë plagosur edhe shtetasit Adriatik Hysenbelliu dhe Krenar Hysi. Sipas policisë, në territorin e këtij kombinati nuk ka rrezik për shpërthime të tjera, pasi janë marrë të gjitha masat për sigurimin e vendit të ngjarjes si dhe janë dërguar ekspertët, që do të bëjnë të mundur edhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë.
Dëshmia
I mbijetuari nga kjo tragjedi, 46-vjeçari Adriatik Hysenbelliu, ka thënë për gazetën se ai kishte shkuar në punë si çdo ditë tjetër, por për shkak të të ftohtit, punëtorët e këtij poligoni kishin ndezur një zjarr për t’u ngrohur. "Teksa ishim mbledhur rreth zjarrit për t’u ngrohur, njëra nga arkat e drurit, që përdorej si ambalazh për djegoret, kishte pasur brenda njërën prej tyre dhe pas djegies së kutisë prej druri ajo shpërtheu, duke na rrëzuar të gjithëve përtokë. “Pasi morëm veten pamë që disa prej nesh ishin plagosur, ndërsa shoqja jonë, Suzana, ishte mbuluar me gjak, pasi predha e kishte kapur në kokë”, - përfundoi Hysenbelliu.
Deklarata
Disa orë pas ngjarjes, gjatë një prononcimi të dhënë për median, kryeinxhinieri i Kombinatit Mekanik të qytetit të Poliçanit, z. Ardian Spaho, ka thënë se gjatë procesit të pastrimit të kryer në këtë poligon, si rezultat i pakujdesisë së treguar nga punëtorët, të cilët për shkak të temperaturave të ulëta kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur, ka shpërthyer një "djegore" që ndodhej në njërën nga kutitë, duke i marrë jetën një punëtoreje 45-vjeçare dhe duke plagosur dy të tjerë. Spaho ka pohuar se në momentet e shpërthimit nuk kishte filluar ende puna në këtë poligon, duke saktësuar se në asnjë prej proceseve teknologjike të demontimeve të gëzhojave nuk ka pasur asnjë lloj incidenti. Spaho ka theksuar se në këtë poligon punonin 6 punëtorë të specializuar për demontim armësh e municionesh dhe aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së vetë punëtorëve, të cilët, në kundërshtim me rregulloren, kanë ndezur një zjarr jashtë ambienteve të poligonit për t’u ngrohur.
Kryebashkiaku
Kryetari i bashkisë së qytetit të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka pohuar se tragjedia e ndodhur në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ka ardhur si rezultat i pakujdesisë së treguar nga punëtorët e poligonit. Zotkaj ka theksuar se kemi të bëjmë me një aksident njerëzor dhe menjëherë pas ngjarjes bashkia ka marrë të gjitha masat për mbështetjen financiare të fëmijëve të viktimës Suzana Kapxhiu si dhe për dy familjet e të plagosurve në këtë ngjarje. Ai është shprehur i pakënaqur me indiferencën e treguar nga ministrat e qeverisë “Berisha” dhe nga vetë kryeministri, të cilët, sipas kryebashkiakut, minimalisht duhet të telefononin për t’u informuar në lidhje me tragjedinë e ndodhur ditën e martë në qytetin e Poliçanit, ku humbi jetën një punëtore 45-vjeçare dhe u plagosën dy të tjerë.
Në Poliçan ishte edhe deputeti Erjon Braçe, i cili akuzoi dhe fajësoi qeverinë “Berisha” për ngjarjen e ndodhur.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›