E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysmë miliardi euro për ekonominë shqiptare



Nga Fatmir Kovaçi

Zhurma e ngritur dje nga disa media se Shqipëria mori borxhin ndërkombëtar më të shtrenjtë në botë, është sa e pavërtetë, aq edhe mjerane në moskuptimin e gjendjes ekonomike të sotme. Kush njeh sadopak tregjet ndërkombëtare, e di se tani në botë është bërë shumë e vështirë, në mos e pamundur, nga gati gjysma e shteteve për të marrë një kredi ndërkombëtare. Të gjitha bankat që deri një ditë përpara krizës mbarëbotërore (28 shtator 2008) kanë dhënë kredi me shumë intensitet, tani janë tkurrur dhe po shohin hallet e tyre. I djeshëm ishte lajmi se banka më e madhe në botë, Banka e Amerikës, kishte mungesë likuiditeti (paraje kesh) në masën 34 miliardë dollarë. Qeveria e Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë kanë kërkuar në tregun ndërkombëtar të marrin kredi me kushte (përqindje interesi) shumë më të larta nga sa arriti të merrte vendi ynë nga sindikata e bankave të huaja (Deutsche Bank, Alpha Bank, NBG dhe Banka e Pireut). Kanë kërkuar edhe me 15 e 20 për qind të marrin para, por bankat ndërkombëtare nuk u kanë dhënë. Arsyeja qëndron në atë, që ekonomitë e tyre parashikohet të kenë shumë probleme nga kriza dhe të hyjnë në recesion (rënie ekonomike) gjatë këtij viti. Pra, nuk gëzojnë besueshmëri në tregun e kapitalit. Për këto arsye, marrja e transhit të parë të kredisë ndërkombëtare prej 95 milionë dollarësh nga ana e qeverisë duhet konsideruar arritje, sepse sot s’të jep kush, sado të lartë ta pranosh interesin. Po lind pyetja: Pse po na japin ne kredi? Së pari, sepse Shqipëria renditet në opinionet e kompanive vlerësuese si vend i qëndrueshëm, i prekur pak nga kriza ndërkombëtare. Së dyti, sepse parashikimet edhe ato më pak optimiste (të tipit të FMN-së) e nxjerrin Shqipërinë me rritjen ekonomike më të lartë në rajon për këtë vit. Prandaj dhe bankat ndërkombëtare i japin para hua vendit tonë. Nuk ka asnjë marifet politik në këtë mes. Nga ana tjetër, duhet parë kostoja e kësaj huaje, arsyeja e zhurmës së ngritur. Përqindja 9.65 e borxhit të marrë në tre vjet (duke shtuar tarifën e ndryshueshmërisë së raportit të këmbimit të euros, të quajtur euribor, e cila në maksimum shkon 2 për qind) është e pranueshme, duke pasur parasysh që një vend si Turqia mori vetëm një javë më parë rreth një miliard euro borxh tregtar nga një bankë ndërkombëtare me interes 14.1 për qind në pesë vjet. Nga ana tjetër, kredia që morëm, mund të pushohet menjëherë pa pagesa gjobash nga ana e qeverisë sonë, nëse pas një viti, për shembull, kushtet e kreditimit ndërkombëtar kanë ndryshuar (norma e interesit është ulur ndjeshëm). Kjo siguron mbrojtje të ekonomisë sonë, duke i dhënë njëkohësisht asaj sot paratë që ka nevojë, por edhe duke i ofruar mundësinë që ta anulojë kredinë, nëse nesër konsiderohet shumë shtrenjtë. Vlen të theksohet se kostoja e marrjes së kredisë është shumë më e ulët se kosto e mosmarrjes së saj. Me 250 milionë eurot e siguruara nga kjo kredi ndërkombëtare dhe me rreth 250 milionë euro të tjera të kontraktuara nga privatizimet strategjike dhe që do t’i hyjnë ekonomisë sonë gradualisht gjatë këtij viti, kemi praktikisht një mburojë gjysmë miliardi eurosh për të përballuar pasojat e krizës. Për një shtet të përmasave tona kjo rezervë nuk është pak. Fakti që kredia e përfolur më kot nga disa media tonat fillon dhënien e parave në fund të qershorit të këtij viti tregon pikërisht karakterin e saj jo zgjedhor (bëhet efektive kur zaret e zgjedhjeve janë hedhur). Nga ana tjetër, dobia e kredisë ndërkombëtare që po merret është edhe se injekton në Shqipëri euro. Një monedhë që është bërë shumë e kërkueshme sot dhe që me qëndrueshmërinë e saj do t’i shërbejë edhe monedhës kombëtare, lekut që të stabilizohet. Për të gjitha këto arsye, do të ishte në të mirë të vendit që zhurma e ngritur rreth parave të kredisë që mori qeveria jonë të pastrohet nga paaftësitë e atyre që vlerësojnë veprime ekonomike apo nga orekset politike për të nxirë çdo nismë ekonomike të qeverisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›