E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet doganieri, kaloi pa deklaruar kamionin e ngarkuar me 27 tonë kafe

Kiriasko Feta, në kërkim prej dy muajsh për “shpërdorim detyre”. Kishte lënë të kalonte doganën pa u peshuar një kamion me 27 tonë kafe

Luan Kondi

Kapshticë – Arrestohet pas më shumë se dy muajsh doganieri që akuzohej se kishte favorizuar kalimin e një kamion me kafe pa u peshuar. Forcat e policisë së Korçës prej kohësh kishin shpallur në kërkim 45-vjeçarin Kiriasko Feta, i cili mbante detyrën e doganierit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, por më pas kanë mundur ta vënë në pranga. Sipas të dhënave policore për gazetën “Albania”, arsyeja e një veprimi të tillë është ajo se banuesi i fshatit Fitore të Devollit ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Dy muaj më parë, në pikën kufitare të Kapshticës, është kapur një kamion me targë KO 7074 B, i cili posedonte një sasi prej 27 tonësh kafeje, e padeklaruar kjo nga Kiriasko Feta, i cili në ato momente ishte me detyrën doganier te peshorja.
Ngjarja
Më 7 mars të këtij viti Antikontrabanda kreu një operacion ku u kapën 27 tonë kafe kontrabandë në pikën doganore të Kapshticës. Kafja u gjet në një maune, e cila ishte e ngarkuar me materiale llamarine dhe vinte nga Greqia. Maunia së bashku me rimorkion, e drejtuar nga Sokol Vukatana, transportonte profile llamarine, ndërsa në kufi Antikontrabanda konstatoi praninë e mallit kontrabandë duke bërë edhe sekuestrimin e tij. Menjëherë, forcat e policisë vunë në pranga drejtuesin e maunes Sokol Vukatana. Pas verifikimeve doli se mjeti ishte në pronësi të një firme transporti.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së dy muajve më parë, ku pas një kontrolli rutinë të mjeteve që kalonin pikën kufitare të Shqipërisë me Greqinë efektivat e Antikontrabandës së Kapshticës konstatuan ekzistencën e kafesë kontrabandë e fshehur në maune dhe rimorkio poshtë profileve llamarinë, të cilat shërbenin si mburojë për mallin kontrabandë.
Rastet
Më katër korrik të vitit 2007, në Rrëshen u bllokua një ton kafe kontrabandë. Sipas njoftimit të policisë, dy kamionë me traga të Kukësit u bllokuan në afërsi të fshatit Geziq. Vetëm njëri nga kamionët i është nënshtruar kontrollit, pasi kamioni tjetër ishte i ngarkuar po me kafe, por ishte i vulosur nga dogana. Policia dyshoi se malli në të dyja mjetet ishte kontrabandë, pasi rezultoi të ishte i pazhdoganuar. Më 24 gusht po të vitit 2007 policia e Tropojës bllokoi 5 tonë kafe kontrabandë, rreth një kilometër në thellësi të kufirit shqiptar. Patrulla e policisë diktoi një furgon me targë 487 KS 766, që drejtohej nga Ahmet Gjocaj. Kafeja transportohej nga Kosova në Shqipëri, por drejtuesi i mjetit ishte larguar menjëherë sapo ka vënë re praninë e uniformave blu. Një ditë më pas dy ndihmëskontrollorë të doganës së Qafë Morinës në Tropojë dhe dy punonjës të policisë së kësaj dogane u ndaluan në akuzën e kontrabandës.

Bie zjarr i papritur në hotel, policia po punon për identifikimin e shkaqeve të tij

Pogradec – Një zjarr i papritur ka rënë në mjediset e bar-restorant hotel “Tea” në Pogradec, i cili është në pronësi të Ilir Berberit, lindur dhe banues në këtë qytet. Shkaqet e këtij zjarri janë ende të papërcaktuara dhe policia po punon për të hetuar arsyet dhe personat e vërtetë, të cilët mund ta kenë nxitur atë. Bëhet e ditur se Komisariati i Pogradecit ka kryer veprimet procedurale për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, të parashikuar nga Neni 151 i Kodit Penal. Sipas të dhënave, nga zjarri i rënë janë shkatërruar të katër katet e hotelit me gjithë orenditë, por për fat të mirë, dëme në njerëz nuk ka pasur.

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›