E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, Universiteti i Tiranës propozon 1590 kuota



Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës ka bërë gati propozimet e reja për studimet me kohë të pjesshme. Në total, gjatë vitit të ri akademik, studimet e pjesshme pranë Universitetit të Tiranës do të mund t’i vijojnë vetëm 1590 studentë. Burime nga UT-ja bëjnë të ditur se këtë vit pranimet pa limit do të jenë vetëm në degën Biologji, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ndërkohë që një vit më parë, pranimet pa kufi, përveç Biologjisë, kanë qenë edhe në dy degë të Fakultetit Ekonomik, Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet. Por mbylljes së pranimeve pa limit në degët e Ekonomikut, drejtuesit e UT-së i janë përgjigjur duke çelur, për herë të parë këtë vit, studimet me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Infermierisë. Aktualisht, të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë bërë gati propozimet e reja për studimet e pjesshme, të cilat, pas rishikimit në rektorat, janë dërguar për miratim në Ministrinë e Arsimit.
Kuotat
1590 kuotat e pranimit, të propozuara nga Universiteti i Tiranës për studimet me kohë të pjesshme, janë shpërndarë sipas gjashtë fakulteteve ku do të ndiqen këto studime. Shifra e propozuar këtë vit për studimet e pjesshme është disa herë më e lartë se ajo e vitit të shkuar, dhe kjo për vetë faktin se janë çelur studimet e pjesshme edhe në dy fakultete të tjera të UT-së. Konkretisht, për degën Infermieri e Përgjithshme, ku hapen për herë të parë studimet e pjesshme pranë Fakultetit të Infermierisë, janë propozuar 300 kuota pranimi. Ndërsa për dy degët e Fakultetit të Shkencave Sociale, Punë sociale dhe Psikologji, ku sërish çelen për herë të parë studimet e pjesshme, janë propozuar 240 kuota pranimi, të ndara në mënyrë të barabartë sipas degëve, me nga 120 kuota secila. Përsa i përket numrit të lartë të kuotave të pranimit, përsëri këtë vit në krye të listës do të vazhdojë të jetë Juridiku, me 400 të tilla, shifër kjo e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Pas Juridikut, për numrin e lartë të kuotave të pranimit vjen Fakulteti i Histori-Filologjisë, me 450 kuota pranimi në total, por që të ndara sipas degëve pranojnë një numër dy herë më të vogël studentësh se Drejtësia. Për tri degët e Filologjikut, ku do të ofrohen studimet e pjesshme, përkatësisht Histori, Gjeografi dhe Gjuhë-Letërsi, propozohen 150 kuota pranimi për secilën prej tyre. Ndërsa dy degët e Ekonomikut, Administrim biznesi dhe Financë-Kontabilitet, që vjet kanë pranuar studentë pa limit për studimet e pjesshme, këtë vit do të marrin vetëm nga 100 pranime për secilën degë.
Aplikimi
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: Dëftesë pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; deklaratë individuale e kandidatit, sipas modelit të tërhequr pranë sekretarive të fakulteteve. Kandidatët që duan të vijojnë këto studime, para depozitimit dosjeve në sekretaritë mësimore të universiteteve përkatëse, duhet t’i plotësojnë ato me dokumentet e mësipërme. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, siç përcaktohet më sipër, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kurse kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të.

Kuotat e propozuara për studimet me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë 450
Gjuhë-Letërsi 150
Gjeografi 150
Histori 150

Fakulteti i Ekonomisë 200
Administrim biznesi 100
Financë-Kontabilitet 100

Fakulteti i Infermierisë 300
Infermieri e përgjithshme 300

Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Biologji pa limit

Fakulteti i Shkencave Sociale 240
Punë Sociale 120
Psikologji 120

Fakulteti i Drejtësisë 400
Juridik 400

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›