Studimi i Bashkisë, trafiku i makinave do të rritet me 40 për qind në 2011-n
Bashkia e Tiranës ka kryer një studim për rritjen e trafikut të makinave deri në vitin 2011, ku rritja pritet të jetë me 40 për qind. Sipas vlerësimeve të specialistëve të Urbanistikës rezulton se në vitin 2011 pritet që trafiku të rritet me 40% dhe në vitin 2021 me 80% për qind. Kjo rritje konsiderohet tepër e lartë për infrastrukturën rrugore aktuale. Por, me zbatimin e projektit të Unazës së Madhe, një pjesë e madhe e trafikut do të shmanget. Këto shifra të rritjes së madhe të trafikut janë analizuar në disa alternativa të përballimit të rritjes si dhe në modelime dhe stimulime të zgjidhjes më të mirë të lëvizjes. Zbatimi i projektit do të mundësojë uljen e trafikut dhe shmangien e aksidenteve rrugore. Kështu, korsia tip e Unazës është parashikuar të ketë një korsi dedikuar për linjat e transportit publik lokal, korsi për lëvizje për biçikleta dhe të këmbësorëve, si dhe për mjete motorike dhe parkim (privat, me pagesë dhe rezidencial) për mjetet përgjatë Unazës. Nga ana tjetër mendohet se impakti i pritshëm nga zhvillimi i këtij projekti ka të bëjë me përmirësimin e lëvizjes dhe të trafikut jo vetëm për këtë zonë, por në të gjithë qytetin. Gjithashtu, një projekt i tillë madhështor përmirëson ndjeshëm edhe lidhjen e zonave rreth qytetit dhe në komunat kufitare me Tiranën me vetë qytetin e Tiranës. Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga ish-Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Punën për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.50 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Ndërkohë, në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si te “Komuna e Parisit” dhe te Rruga e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.
Gripi i derrit, mjekët përfitojnë shtesën nga qëndrimi 24 orë në punë
Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë udhëzimin për qendrat shëndetësore në rrethe dhe sidomos ato në kufi, për të pritur rastet e emergjencave nga gripi i derrave. Personeli mjekësor në këto qendra do të rri në gatishmëri në rast se do të shfaqet ndonjë rast i dyshuar nga gripi i derrit. Për këtë arsye, personeli do të shpërblehet me shtesën e pagës. Kjo, falë vendimit më të fundit nga MSH-ja. Pak kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur një shtesë page për të gjithë mjekët që do të qëndrojnë në punë jashtë orarit. Në këtë mënyrë parashikohet dhënia e një shtese në pagë për kushte pune për mjekun pediatër që punon si konsultor. Kjo shtesë nuk ishte parashikuar në udhëzimin e mëparshëm. Po kështu, parashikohet edhe shtesa për kushte pune për vendin e punës si infermiere në kirurgjinë vazale. Të dyja shtesat e mësipërme, të cilat janë përkatësisht 1100 lekë në muaj për mjekun pediatër në konsultore dhe 1000 lekë në muaj për infermiere në kirurgjinë vazale, përballohen nga buxheti i vitit 2009 i qendrave shëndetësore. Këto rregulla janë përcaktuar nga kontratat e reja që janë përcaktuar me qendrat shëndetësore. Kështu, për herë të parë janë futur detyrat e drejtorive të QSH-ve në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës si dhe janë përcaktuar në një nen të veçantë sanksionet dhe procedurat e shkeljeve dhe të ankimimit. Pjesë e kësaj kontrate është edhe aktiviteti i përditshëm i stafit mjekësor. Kjo metodë do të përdoret për herë të parë dhe bëhet për të shmangur abuzimet nga ana e mjekëve. Në raportet e fundit ka rezultuar se mjekët nuk raportojnë vizitat dhe abuzojnë me barnat.
Ministria: Konsumimi i mishit të derrit nuk transmeton virus
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i garantoi dje konsumatorët për sigurinë e cilësisë së mishit të derrit në vendin tonë. Në një konferencë për shtyp, drejtoresha e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në MBUMK, Valbona Paluka, tha se "mbështetur në të gjitha informacionet e organizatave ndërkombëtare të mbrojtjes së konsumatorit, rezulton se konsumimi i produkteve të derrit nuk konsiderohet rrezik për përhapjen e virusit". Drejtoresha shtoi më tej se në zonat e shfaqjes së virusit A H1N1 nuk ka pasur prezencë të virusit në popullatën e derrave, ndërkohë që është provuar vetëm transmetimi i virusit nga njeriu tek njeriu dhe jo nga ushqimi. Duke iu referuar të dhënave më të fundit të organizatave ndërkombëtare për përhapjen e gripit të derrave, Paluka bëri të ditur se drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE), ka cilësuar se "nuk ka në asnjë rast me derra të infektuar në zonat ku është shfaqur infeksioni i gripit në njerëz dhe nuk është e nevojshme për të ndërmarrë masa specifike në tregtinë (import-eksport) të derrave ose produkteve të tyre". Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, tha Paluka, bazuar në rezultatet e vlerësimit të riskut, cilëson se ky virus është i ndryshëm nga virusi i gripit që prek derrat. "Nuk ka asnjë evidencë shkencore që të sugjerojë se virusi H1N1 mund të transmetohet te njerëzit nëpërmjet konsumit të mishit si ai i derrit ose nënproduktet". Në këto kushte ajo garantoi se mishi i derrit dhe nënproduktet e tij nuk përbëjnë asnjë burim infeksioni, në qoftë se ato trajtohen në përputhje me normat e standardet e sigurisë ushqimore, në praktikat më të mira të higjienës dhe kur ato janë të gatuara me trajtim termik mbi 70 gardë celsius. Gripi i derrave u shfaq për herë të parë në fund të muajit prill në Meksikë dhe është përhapur në shumë vende të botës. Ai është specifikuar si gripi A (H1N1). Ky vendim është marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE).
4 Maj 2009