Karta e Bolonjes, mblidhen 46 ministrat e Arsimit për të përcaktuar përparësitë e procesit
Përcaktimi i përparësive të procesit të Bolonjës për dekadën e ardhshme ka mbledhur kokë më kokë në një takim 46 ministrat e Arsimit që bëjnë pjesë në këtë sistem. Më 28-29 në Leuven/Louvain-la-neuve, Belgjikë, u mbajt takimi i ministrave të Arsimit të 46 vendeve të përfshira në procesin e Bolonjës për të analizuar arritjet e këtij procesi dhe për të përcaktuar prioritetet e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (ZEAL) për dekadën e re 2010-2020. Shqipëria u përfaqësua në konferencë nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Arsimit, Fatos Beja. Pasi u njohën me arritjet e çdo vendi në realizimin e procesit të Bolonjës, opinionet e organizatave të ndryshme mbi probleme specifikë si dimensioni social dhe mobiliteti, të mësuarit gjatë gjithë jetës apo roli i studentëve në këtë proces, ministrat diskutuan dhe firmosën deklaratën “Procesi i Bolonjës 2020 - Zona Europiane e Arsimit të Lartë (AL) në dekadën e re”. Në këtë deklaratë theksohen arritjet e deritanishme në arsimin e lartë si rezultat i konsolidimit të procesit të Bolonjës dhe përcaktohen përparësitë për dekadën që vjen, duke kërkuar që universitetet t’u përgjigjen nevojave në rritje për arsim dhe zhvillim të shoqërisë, që reforma të vijojë drejt vlerave europiane të autonomisë institucionale, lirisë akademike dhe barazisë sociale me pjesëmarrjen e studentëve dhe të stafit akademik. Në përparësitë e arsimit të lartë për dekadën 2010-2020 përfshihen dimensioni social i arsimit të lartë për t’u krijuar mundësinë të gjithëve për të përfituar nga ky arsimim; të mësuarit gjatë gjithë jetës; edukimi dhe formimi për tregun; fokusimi i mësimdhënies tek studenti dhe reforma e kurrikulave, duke kërkuar zbatimin e standardeve evropiane të sigurimit të cilësisë; arsimi, kërkimi dhe inovacioni; hapja ndërkombëtare e universiteteve; mobiliteti i studentëve dhe i stafit akademik; financimi i arsimit të lartë etj. Gjithashtu, më 29 prill në Louvain-la-Neuve u mbajt për herë të parë edhe Bologna Policy Forum, në të cilën morën pjesë ministrat e Arsimit të 46 vendeve europiane të përfshira në procesin e Bolonjës dhe ministrat nga Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Egjipti, Etiopia, Izraeli, Japonia, Kazakistani, Kirgistani, Meksika, Maroku, Zelanda e re, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë morën pjesë në një debat konstruktiv për zgjerimin e bashkëpunimit dhe partnershipit në arsimit e lartë ndërmjet 46 vendeve të Bolonjës dhe vendeve nga e gjithë bota. Ky forum mbështeti rolin strategjik të arsimit të lartë në avancimin e njohurive dhe të shkëmbimit global të tyre nëpërmjet projekteve të kërkimit multi-nacionale si edhe rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik mbi bazën e vlerave akademike duke nxitur “qarkullimin e trurit” (brain circulation).
4 Maj 2009