FIAT-i pas blerjes së Chrysler-it shpreh interes edhe për Opelin
Kompania italiane e prodhimit të automjeteve “FIAT”, duket se do ta zgjerojë operacionin e saj financiar në kuadrin e krizës financiare që ka prekur dukshëm këtë sektor. Bëhet e ditur paraprakisht se pas angazhimit tek sipërmarrja likuide amerikane “Chrysler”, koncerni italian i automjeteve “FIAT”, është i vendosur të blejë edhe “OPEL”-in gjerman. Për këtë gjë, informacionet njoftojnë se shefi italian i “FIAT”, Serxhio Markione, do të flasë të hënën në Berlin me ministrin gjerman të e Ekonomisë, Karl-Theodor zu Gutenberg dhe me ministrin e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier. Sipas gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, Markione do t'i paraqesë qeverisë gjermane një plan fillestar, i cili parashikon që fabrikat gjermane të “Opelit” në Ruselsheim, Eisenach, Kaiserslautern dhe Bokum do të mbeten, por jo në përmasat e tyre të tanishme. Markione kërkon të krijojë në fakt, një koncern global automjetesh, që prodhon në vit të paktën pesë milionë automjete. Por bëhet e ditur se përveç “FIAT”-it, për “OPEL”-in, po interesohet edhe furnizuesi austriako-kanadez për pjesë automjetesh, “Magna”.
Kriza në SHBA, zgjatet lista e falimentimeve të bankave
Banka “Silverton” në SHBA ka shpallur falimentin, duke e çuar kështu në 30 numrin e enteve financiare që i janë dorëzuar krizës ekonomike botërore. Aksionet e bankës do të kalojnë në një bankë tjetër që aktualisht nuk bëhet e ditur. Bëhet fjalë për 4.1 miliardë asete dhe 3.3 miliardë dollarë depozita. Për sa i takon tre muajve të parë të këtij viti, ekonomia amerikane ka shënuar një rënie me 6.1 për qind, shumë më e lartë nga parashikimi prej 4.7 për qind. Ekspertët thanë se shkaku kryesor i shifrave drastike është mungesa e investimeve, e cila krahasuar më një vit më parë është përgjysmuar. Ndërkohë dita e djeshme ka shënuar një moment pozitiv për bursat amerikane. “Dau Xhons” fitoi 44.29 pikë, “Es & Pi 500” 4.71 dhe “Nasdak” fitoi 1.90 pikë. Ekspertët e ekonomisë amerikane thanë se rimëkëmbja e kohëve të fundit në tregjet financiarë tregon se ekonomia amerikane është drejt stabilizimit.
4 Maj 2009