E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet "financieri" i Aldo Bares

Arrestohet ish-presidenti i Klubit të Futbollit të Lushnjës, Edmond Bega, i dënuar nga drejtësia italiane me 13 vite burg nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatën kriminale të Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë dje një operacion që u finalizua me arrestimin e Begës, tashmë biznesmen në Tiranë, i cili merrej me aktivitetet e ndërtimit. Burime zyrtare nga policia thanë se 39-vjeçari është prangosur dje pasdite në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa", ku po pinte kafe me disa miq të tij. Ai është shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës, ku i është komunikuar vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila kishte njohur vendimin e Gjykatës së Torinos, Itali, që e kishte gjykuar dhe dënuar në mungesë me 13 vjet burg.
"Ai është akuzuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda si mbajtja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë", thuhej në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, e cila saktësonte se veprimtaria ku ai është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku etj., ku ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit dhe koordinonte aktivitetin e pjesëtarëve të tjerë të organizatës.

Bizneset
39-vjeçari Edmond Bega njihej si "financieri" i bandës së Lushnjës, e cila merrej me trafikun e drogës në Itali, ku kishte arritur të ngrinte një grup të sofistikuar kriminal. Është dashur ndërhyrja e shërbimit sekret ushtarak italian që të mundësohej shpërbërja e këtij rrjeti, i cili kishte përfituar miliona euro nga aktiviteti i paligjshëm. Policia e Shtetit në Shqipëri ka pranuar se "personi i arrestuar orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike". Tashmë po vazhdon puna për zbardhjen në tërësi të aktivitetit të tij kriminal dhe pasuror. Megjithatë policia sqaron edhe akuzat që rëndojnë aktualisht ndaj Begës, të cilat bazohen nga çështja në Gjykatën e Torinos. Shërbimeve të specializuara të Antidrogës e Antimafias italiane u janë dashur më shumë se tre vjet kohë, madje dhe ndihma e shërbimit sekret italian, "Sismi" për të zbuluar se pas "Profesorit", që drejtonte gjithçka nga gadishulli i Azisë së Vogël, fshihej pikërisht ish-efektivi i repartit special 326, Alfred Shkurti, i cili kishte ngritur një super rrjet kriminal në Itali.

Hetimet italiane
Hetimet e detajuara mbi këtë organizatë zgjatën më shumë se tre vjet. Në hetim u përfshinë Shërbimi Operativ Qendror Italian, Drejtimi Qendror për Shërbimet Antidrogë, pjesëtarë të personelit të zyrës Interforcë në Shqipëri, dhe Shërbimi Sekret Italian "Sismi". Si karrem i këtij hetimi shërbeu arrestimi i torinezit 55-vjeçar, Klaudio Bostiços nga Bibiana, në maj të vitit 2002. Gjatë hetimeve për të zbuluar celulën e Milanos rezultoi se një celulë analoge e së njëjtës organizatë vepronte në Italinë Qendrore e Jugore me bazë në Romë dhe drejtohej nga i njëjti person, Aldo Bare. Drejtuesit e kësaj organizate të shtrirë në disa shtete e kishin ndarë Italinë në dy pjesë, duke krijuar dy grupe pothuajse të pavarur nga njëri-tjetri. Grupi që vepronte në veri të Italisë, fillimisht e ka pasur qendrën në Torino, por pasi iu sekuestruan disa ngarkesa me drogë nga policia, e zhvendosi bazën në qytetin e Milanos. Ky grup kishte për objektiv shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në Veriun e Italisë. Sipas Prokurorisë së Torinos, në krye të këtij grupi ka qenë Edmond Bega, i njohur në Shqipëri si president i skuadrës së Lushnjës. Ndërsa grupi tjetër ishte ngarkuar për të pritur drogën që vinte nga Shqipëria, si dhe kishte nën kontroll shpërndarjen e saj në rajone të rëndësishme të Italisë Qendrore dhe asaj Jugore. Ky grup e kishte qendrën në Romë, dhe në krye të tij ishte krahu i djathtë i "profesorit", Enver Dondollaku, 31-vjeç nga Lushnja. Droga mbërrinte fillimisht në portet e Barit dhe Ankonës dhe më pas shpërndahej në të gjithë Italinë, përmes disa pikave mbështetëse në Torino, Romë, Milano, Napoli, Verona dhe Firence. Organizatës i janë zbuluar dhe tre laboratorë për ambalazhimin dhe përzierjen e drogës në qytetet e Torinos, Monzas dhe Breshias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›