Babar Ali
Rreth pesë orë me autobus nga Kalkuta ndodhet një ndërtesë e vjetër prej çimentoje, e mbuluar nga tabela të shkatërruara me slogane marksiste, reklama për filma me aksion, apo këshilla seksuale për çiftet që duan të kenë një fëmijë. Brenda, në një dhomë të vogël dhe të errët, pas një tavoline, ulet një djalosh i ri, të cilin e njeh edhe vetë mbretëresha e Anglisë. Një djalosh që të gjithë duan ta njohin. I dobët, me pak mustaqe në buzën e sipërme, Babar Ali, 17 vjeç, është drejtori i shkollës më i ri në botë. Pas zyrës së tij ndodhet një portë që shërben për të hyrë në shtëpi. Disa fëmijë qëndrojnë jashtë në ajër të pastër. Janë ulur në radhë njëri pas tjetrit, në mënyrë që të formojnë një drejtkëndësh. Disa fiksojnë librin që kanë përpara, të tjerë librat e shokëve që kanë ngjitur. Në këmbë, mes tyre, me një palë pantallona shumë të shkurtra, drejtori i ri përpiqet t‘u tërheqë vëmendjen fëmijëve që qeshin dhe luajnë në tokë. India është e etur për dije. Në shkollën e Babarit studiojnë rreth 800 fëmijë të përjashtuar nga sistemi i arsimit indian. Shpesh bëjnë me qindra kilometra për të ardhur aty dhe për të mësuar falas. Shkolla quhet "Ananas shiksha niketan" dhe është krijuar rastësisht. "Në fillim bëja sikur isha mësues, ndërsa miqtë e mi bënin sikur ishin studentë. Ata nuk kishin shkuar kurrë në shkollë, ndaj argëtoheshin shumë. Kështu nisën të mësonin matematikë". Në vitin 2002, shkolla e tyre u institucionalizua dhe sot ajo administrohet nga tetë persona. Babar Ali është më me fat se të rinjtë e tjerë. Fati i tij konsiston në jetesën me tre vëllezërit dhe prindërit në fshatin e Gangapur-it, në Bengalin Perëndimor, në një dhomë të ndërtuar me tulla balte. Babai i tij shet jutë. Nuk e ka përfunduar shkollën fillore, por është i bindur se arsimimi është besimi i vetëm që duhet ndjekur. Që nga fillimi, Nasiruddin ka mbështetur nismën e të birit, duke i dhënë para për të blerë stilolapsa dhe fletore. Por, kur u përhapën zërat dhe u rrit numri i studentëve, u shtuan edhe mbështetësit e Babar Alit: mësues, murgjit e misionit Ramakrishna, disa funksionarë të administratës dhe policë. Dikur orizi për mensën e shkollës vinte direkt nga fushat e të atit, por tani, falë disa miqve që punojnë në administratë, furnizimet vijnë nga shteti. Çdo mëngjes, në orën 7:00, Babar Ali, përshkon rreth pesë kilometra për të shkuar në shkollën e Raj Govinda Vidyapeeth në Beldanga, ku ndjek vitin e fundit të gjimnazit. Në orën 13:00, kur përfundon mësimi, kthehet në fshat për të nisur detyrën e drejtorit të shkollës. Ndërkohë, nxënësit e tij kanë punuar nëpër fusha, janë marrë me punët e arës apo ato të shtëpisë. Megjithatë, kur Tulu i bie ziles, të gjithë hyjnë në klasa. Tul Rani Hazra rri gjithmonë e veshur me fustanet e bardha të vejushave. Në mëngjes shet peshk të freskët në fshat, kurse pasdite ndihmon në "punët" e shkollës. Ajo mundohet të bindë prindërit që t‘i dërgojnë fëmijët në shkollën e Babar Alit. Deri tani, ka gjetur rreth 80 fëmijë.
Pak libra
Nëse fëmijët janë të vegjël dhe jo shumë të përshtatshëm për punë, është më e lehtë t‘i bindësh prindërit. Në klasë të parë dhe të dytë janë të paktën 200 nxënës. Në të tretën ka vetëm 20, që studiojnë dhjetë lëndë që jepen nga Babar Ali dhe Debarita Bhattacharya, një vullnetare tjetër. Shkolla është shumë e shkatërruar për t‘u njohur nga shteti, por ndjek programin e qeverisë së Bengalit Perëndimor. Librat nga klasa e parë në të pestën jepen falas, ndërsa për ata të klasave të tjera duhet t‘i gjesh vetë paratë. Çdo ditë vijnë rreth 400 nxënës në shkollën e Babarit, që qëndron hapur nga ora 15:00 deri në 19:00 gjatë javës dhe nga 11:00 deri në 16:00 të dielën. Nëntë mësuesit janë vullnetarë që ndjekin shkollën e mesme. Debarita, që është regjistruar në kolegjin e Behrampurit, është ajo me gradën më të lartë të mësimdhënies. "Dija të hap mendjen. Është rruga për një jetë më të mirë", thotë Imitiaz Sheikh që frekuenton klasën e dhjetë. "Ja përse mësoj në këtë shkollë". Po a është e vështirë që mësuesit, kaq të rinj, të dëgjohen nga nxënësit? "Në të vërtetë, diferenca e vogël e moshës është një avantazh", thotë Babari. "Përveç të tjerash, jemi miq. Nuk ekzistojnë ndëshkime në shkollën time". Por gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë mirë. Më të moshuarit janë treguar skeptikë. Përse shërben të shkruash e të lexosh kur nuk ke për të ngrënë? Si do t‘ia bëjnë gratë e shkolluara të gjejnë një burrë? Sipas babait të Babar, analfabetizmi është fatkeqësia më e madhe. Për këtë arsye i refuzon biseda të tilla. Ishte ai që donte që vajza e tyre Amina, që ndjek klasën e nëntë, të frekuentojë të gjitha klasat që më pas mund ta çojnë drejt universitetit. Shkolla e Babarit frekuentohet nga punëtorët dhe fshatarët, si Mamataz Begum dhe Moniyara Khatum, nënë e bijë që përshkojnë çdo ditë nga 20 kilometra për të ndjekur mësimin. Nëna është në klasën e shtatë, kurse vajza në të tretën. "Vendosa të studioj për të ndihmuar vajzën të bëjë detyrat", thotë Mamataz Begum. Në nëntor, Babar Ali u ftua të fliste në "Ted Conference" në Kaliforni, sepse është konsideruar si një sipërmarrës me vlera të mëdha. Në vitin 2008, ia treguan historinë e tij regjisorëve francezë, gazetarëve dhe një trupe të BBC-së. Ka një faqe në "Facebook" kushtuar Babar Ali, edhe pse ai nuk ka dëgjuar të flitet kurrë për të. Di të përdorë kompjuterin dhe ka dëgjuar të thuhet se ekziston një rrjet. Por çfarë thuhet për të në këtë rrjet? Ëndrra e drejtorit të ri është të ketë një shkollë të madhe, me laboratorë, palestër dhe ndoshta edhe një auditor. Për momentin, në institutin e tij festohen një herë në vit Dita e Sportit dhe ajo e Kulturës. Nëse imagjinata është një resurs, shkolla e Babarit është shumë e pasur. Pasuria qëndron në shpresën dhe vendosmërinë e të rinjve si ai që luftojnë për të ardhmen e tyre.