Shtetësia për emigrantët përçan grekët
Për të gjithë ata që njohin realitetin grek, të paktën në dy dekadat e fundit, projektligji i ri që do të çojë për miratim në Parlament qeveria e z.Papandreu dhe që u jep të drejtën e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve të huaj, gjithë homogjenëve nga Shqipëria, si dhe të drejtën e votës në zgjedhjet lokale dy grupeve të fundit, mund të thoshim me plot gojën se politika e emigracionit që po kryejnë socialistët grekë është nga më progresivet në Europë. Projektligji që ndodhet tashmë në fazën e konsultimit, ka ngjallur reagime të ndryshme në gjithë shoqërinë greke, që nga partitë politike e deri tek emigrantët e thjeshtë. Qarqe të caktuara mediatike komentojnë akoma se Papandreu përdori edhe si mburojë për këtë projektligj kryepeshkopin grek Jeronikos, duke e ftuar në mbledhjen e kabinetit, në momentin e diskutimit të projektligjit, për të ulur reagimet e asaj pjese "të ashpër" të shoqërisë greke që pranon për bazë të kombit vetëm ata të cilët besojnë në moton "Atdheu, besimi fetar dhe familja".
Vetëm disa ministra të kabinetit Papandreu kanë shprehur qysh të martën në mbrëmje shqetësimin se çfarë mbresash do të linte ky projektligj në masën e gjerë të popullit, ndërsa të tjerë theksuan se socialistët guxuan të merren me një çështje që ngelet e pazgjidhur për më se 30 vjet, e cila kërkon një plan politik serioz për t‘u zbatuar. Projektligji në fjalë është publikuar nga të gjitha mediat e shtypit të shkruar dhe atij televiziv.
Politika
Partia më e madhe e opozitës, Demokracia e Re, ka deklaruar nëpërmjet përfaqësuesit të saj se qeveria Papandreu injoron faktin se dhënia e nënshtetësisë është forma më e lartë e lidhjes dhe e integrimit të dikujt në një shtet dhe në një komb. Ndërsa komunistët grekë kanë kërkuar legalizimin e gjithë emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, me të gjitha të drejtat për ta dhe familjet e tyre, duke akuzuar socialistët se me projektligjin përkatës, nuk përfitojnë as gjysma e fëmijëve të emigrantëve që lindën apo u rritën në Greqi. E majta radikale, SYRIZA, e ka cilësuar projektligjin si një hap të domosdoshëm që duhej të ndërmerrte prej kohësh shoqëria greke. Ndërsa ultranacionalistët grekë të partisë LAOS kanë akuzuar PASOK-un se ky veprim politik ka si synim ndryshimin e rezultatit zgjedhor në vend.
Reagimi i shoqërisë
Sipas sondazhit më të fundit të institutit "Kapa Research", bindja e grekëve të thjeshtë për emigrantët ende nuk ndryshon, mbetet negative deri në atë masë sa një në dy grekë i konsideron ata si kërcënim për vendin. Sipas statistikave të këtij sondazhi, që u publikuan në një konferencë të Ministrisë së Brendshme dhe Organizmit Europian për Integrimin e vendeve të treta në shoqërinë greke, 51,6% e grekëve i quan emigrantët si një kërcënim, 30,6% i cilëson si një shans për vendin dhe 17,8% nuk shprehnin asnjë mendim. Gjithashtu 79,3% e grekëve vlerëson se emigrantët që jetojnë në Greqi janë të shumtë në numër, 57,5% e tyre beson se ata janë shkaku i uljes së pagës dhe rritjes së papunësisë, ndërsa vetëm 34,3% beson se ata kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë greke. Për sa u përket vetë emigrantëve, 65,3% e tyre e konsiderojnë Greqinë si atdhe të dytë, 51,3% përgjigjet se është përballur me një sjellje raciste nga ana e grekëve, 64,7% ka qëllim të jetojë përgjithnjë në Greqi. Për sondazhin janë pyetur 530 emigrantë dhe 1280 grekë.
Komente të emigrantëve
"Dhënia e nënshtetësisë greke është një vendim i drejtë për arsye se do të japë zgjidhje në shumë probleme që përballojnë emigrantët", deklaron Lois Oloakbo nga Nigjeria. Greqia do të shpëtojë nga fenomeni i getos. Vendimi i Papandreut rilind demokracinë në vendin që e ka lindur, shprehet Loreta Makolei, kryetare e Unionit të Grave Emigrante. Ndërsa kryetari i Konfederatës së Homogjenëve nga Shqipëria, Spiro Zoto, deklaron në një prej gazetave greke se "përderisa marrim pjesë në një shoqëri dhe jemi qytetarë të barabartë, përderisa jetojmë këtu, paguajmë taksa, përse të mos kemi edhe të drejtë vote". Ndërsa për sa i përket vendimit për dhënien e nënshtetësisë mijëra homogjenëve nga Shqipëria, që gjithsesi zbatohej për një pakicë personash, ai ka theksuar se ishte një kërkesë kryesore që pengohej nga shumë procedura burokratike të vendosura nga qeveritë e mëparshme.
Dyshime dhe interpretime
Dhe padyshim që është normale për interpretime nga më të ndryshmet për sa i përket këtij projektligji, duke filluar që nga kufizimi i së drejtës për t‘u zgjedhur. Oponentë të shtypit kanë theksuar se nuk është aspak i nevojshëm përcaktimi, sipas të cilit emigrantë dhe homogjenë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e administratës lokale, kanë të drejtë për t‘u zgjedhur, por duke përjashtuar postin e kryetarit të bashkisë apo të kryetarit të këshillit bashkiak, prandaj dhe është shprehur mendimi që gjatë fazës së konsultimit, ky cenim i së drejtës zgjedhore të hiqet. Nga ana tjetër janë dëgjuar edhe komentet ekstreme se në shumë ishuj grekë, apo zona të tëra ku emigrantët përbëjnë një masë të konsiderueshme të popullsisë, vendasve nuk do t‘u vinte aspak mirë që në këshillin bashkiak të dëgjoheshin emra pakistanezë, aziatikë apo edhe shqiptarë. Duhet të përmendim edhe komentet e tjera, sipas të cilave integrimi tashmë ligjor i emigrantëve në shoqërinë greke do të sjellë përfitime kolosale në ekonominë greke dhe sidomos në skemat e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.