E Diel, 1 Nëntor 2026

"PD-PS të rrisin demokracinë e brendshme"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë një mesazh të rëndësishëm ndaj partive politike që të rrisin nivelin e demokracisë së brendshme, si një kusht i rëndësishëm për rritjen e standardeve të nivelit të institucioneve. Në intervistën e dhënë për emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla, në "Top Channel", kreu i shtetit shqiptar u është shmangur deklaratave që mund të komentoheshin nga forcat politike për konsumin e debatit të ditës.

Partitë

Presidenti Topi, duke iu referuar problemeve të ardhura pas zgjedhjeve të 28 qershorit në lidhje me impaktin e Kodit Zgjedhor, deklaroi se "nuk dëshiroj që të interferoj në çështjet e partive politike, por për të diskutuar një çështje që është shumë parimore, do të thosha që ne kemi nevojë në përgjithësi, sidomos te partitë politike, nga të cilat projektohen të gjitha institucionet e tjera, që të rrisin ndjeshëm elementët e demokracisë së brendshme". Kjo, vijoi Presidenti, do të bënte të mundur që të kemi më shumë pjesëmarrje të njerëzve, të cilët ndoshta e kanë të vështirë që të përballojnë situata të caktuara, çka u krijon padyshim pengesa për promovimin e tyre në politikë dhe do të ishte një element që do ta kërkonin të gjithë, që një demokratizim i jetës së brendshme në partitë politike, patjetër që do të rriste ndjeshëm kurajën e inkursioneve politike dhe të rritjes së mundësisë për të bërë reforma të guximshme në Shqipëri. Kreu i shtetit, duke vazhduar me këtë logjikë, theksoi se nuk janë ligjet gabim, pasi ato krijohen në bazë të një vullneti, por ato çalojnë kur nis impelemtimi. Sipas Presidentit Topi, "ky është pikërisht momenti që ka të bëjë me testimin e demokracisë së brendshme të partive". Ndërkaq, kreu i shtetit shqiptar, i cili përpara se të zgjidhet në poltronin më të lartë të Republikës, ka qenë numri dy i Partisë Demokratike, gjatë intervistës për "Top Story" ka shmangur komentin me detaje për zhvillimet e fundit të zgjedhjes së strukturave të Partisë Demokratike pas kongresit të fundit. Por Presidenti Topi ka risjellë sërish çështjen e demokracisë së brendshme.

Vizat

Në mesazhin e tij publik të dhënë në intervistën e fundit për vitin 2009, kreu i shtetit shqiptar ka shprehur optimizmin edhe në lidhje me zhvillimet integruese të vendit, siç është hyrja në BE, apo edhe liberalizimi i vizave. Në lidhje me këtë aspekt, Presidenti gjithsesi ka dhënë kritikat e tij për ato pjesë që nuk u realizuan. "Mund të kishim qenë më të kujdesshëm në koordinimin e veprimeve, por duke iu rikthyer edhe një herë argumentit që sapo trajtuam, besoj që përderisa është çështje kohe, në funksion të kohës në terma të shkurtra, bie poshtë çdo lloj teorie tjetër. Nëse do të flasim për çështje të organizimit më të mirë të jetës politike, institucionale, të detyrimeve që ne kemi për të plotësuar me dokumentacion, me pasaportat biometrike, që janë detyrime të një karakteri teknik do e quaja, besoj që nuk do i jepja shumë hapësirë një diskutimi për nuanca negativiste për mënyrën e sjelljes së shqiptarëve".

Drejtësia

Presidenti i Republikës, i cili është dhe kreu i KLD-së, ka dhënë një qëndrim të qartë edhe për çështjen e Konferencës së Gjyqësorit, nëse duhet mbledhur pa ligj apo jo, por nuk ka preferuar një përplasje me legjislativin. "Unë respektoj afatet, pozicionet institucionale, pozicionet e çastit, por Presidentit të Republikës nuk i bëhet pyetja nëse duhet zbatuar ligji apo jo. Për sa kohë unë jam në këtë pozicion, madje edhe po të isha jashtë këtij pozicioni, do isha i atij qëndrimi se ligji është ai që prevalon, Kushtetuta është ajo që prevalon".

Y.P.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›