E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bllokimi politik, me pasoja të tmerrshme"

Cilat janë pasojat nëse klasa politike shqiptare nuk e zgjidh krizën e krijuar? Për ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, gjithçka është mjaft e qartë dhe dramatike: "Shqipëria rrezikon të mos kalojë në raundin tjetër, pra në finale". Që e zhveshur nga metafora do të thotë se vendi ynë rrezikon seriozisht integrimin në BE, por edhe liberalizimin e vizave. Në një intervistë dhënë gazetës "Shqip". Z, Karsten Ankjaer Jensen, i cili është një përfaqësues i rëndësishëm i një prej shteteve të zhvilluara të Bashkimit Europian i thotë "troç" shumë gjëra, por pa dyshim me një dashamirësi të spikatur për shqiptarët. Diplomati i Kopenhagës, një nga vendet e vogla, por që kanë standard shumë të lartë jetese thekson se mesazhet e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar kanë qenë më se të qarta, ata kanë folur publikisht, por shumë pak ka lëvizur. Një ngërç që rrezikon mjaft për vendin tonë, situatë të cilën z. Jensen e shpjegon me një tjetër figurë të spikatur, por njëherësh dramatike: "bllokimi politik do të ketë pasoja mjaft të tmerrshme nëse nuk i jepet zgjidhje". Në një intervistë më shumë se bashkëbisedim, por me një logjikë analitike, ambasadori i një vendi mik, i një vendi të zhvilluar perëndimor tregon defektet e infrastrukturave të sistemit shqiptar, që si imperativ kanë vetëm ndryshimin...

Z. Ambasador, Shqipëria ndodhet prej përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në një ngërç politik që realisht e ka bërë Parlamentin një institucion gjysmëfunksional. Komuniteti Ndërkombëtar, që prej nisjes së kësaj krize, ka bërë apelet e tij, por deri tani nuk kemi pasur një reflektim. Cili do të jetë mesazhi juaj?

Në thelb, i njëjtë me atë të kolegëve të tjerë. Gjeni një kompromis. Për hir të së ardhmes së Shqipërisë. Megjithatë, mendoj se situata parlamentare është thjesht një simptomë e një sëmundjeje më të rëndë: mungesa e besimit tek institucionet, të cilat duhet të jenë shtyllat e demokracisë shqiptare. Ky problem nuk mund të zgjidhet me kompromis. Vetëm me vepra. Por, ashtu si çdo doktor do t‘ju thoshte, shpesh, ju duhet të kuroni simptomat, përpara se të trajtoni sëmundjen.

Kohët e fundit, nga opinioni publik shqiptar, kryesisht nga analistë të ndryshëm, por edhe përfaqësues politikë është theksuar se opinioni i ndërkombëtarëve deri tani ka qenë thjesht vëzhgues, ndërkohë që kanë kërkuar një gjuhë më të drejtpërdrejtë ndaj klasës politike shqiptare...

Në pikëpamjen time, supozimet e shtruara janë të gabuara. Më lejoni të shpjegoj pse.

Së pari: Ashtu si në shumicën e familjeve apo shoqërive, problemet serioze zgjidhen ballazi. Ndryshe, ato priren të jenë të vështira për t‘u zgjidhur. Dialogu midis ndërkombëtarëve dhe klasës politike është i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Në mënyrë jo të zakontë, ka qenë kështu për një kohë të gjatë. Kështu, ndërsa deklaratat tona publike mund të duken të dobëta në veshët e shqiptarëve, fakti se shumë ndërkombëtarë tani bëjnë deklarata publike, duhet të rrisë ndërgjegjësimin për seriozitetin e gjendjes. Thënë kështu, unë jam dakord se ne shpesh kemi dështuar të komunikojmë mesazhet tona në ato mënyra që shqiptarët i kuptojnë. Në njëfarë mase, bllokimi i tanishëm është një shembull i kësaj.

Së dyti: Shqipëria i ka të gjitha institucionet e një demokracie. Është në dorë të shqiptarëve t‘i bëjë ato funksionale. Ndërkombëtarëve nuk mund t‘u kërkohet të ndërhyjnë dhe zgjidhin problemet, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur demokracia shqiptare të deklarohet e falimentuar politikisht. Kjo, vërtet, do të kishte pasoja serioze në të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, përgjithësisht, supozimet e shtruara nuk marrin parasysh ndryshimet thelbësore të vitit të fundit. Shqipëria nuk është më një komb që aspiron për t‘u bërë anëtar i NATO-s. Ajo është një anëtare. Shqipëria nuk është më një komb që luan me idenë e anëtarësimit në BE. Ajo ka aplikuar për statusin e kandidatit. Duke folur në mënyrë figurative, ekipi shqiptar ka vendosur të lërë kampin e stërvitjes dhe të hyjë në finalet kualifikuese. Këtu pritshmëritë ndryshojnë dhe rregullat e lojës merren si të vërteta. Është e rëndësishme që çdokush ta kuptojë këtë. Kështu, për t‘iu përgjigjur pyetjes tuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë: Nuk mendoj se është gjuha jonë me të vërtetë problemi kryesor. Dyshoj që klasa politike të mos jetë e sigurt për atë që i kërkohet si dhe për pasojat e mundshme, duke mos i trajtuar problemet.

Para pak kohësh disa ambasadorë të BE-së në Tiranë firmosën një deklaratë të përbashkët ku i kërkonin qeverisë që të luftohet urgjentisht korrupsioni. Cili ka qenë reflektimi i autoriteteve shqiptare sipas jush?

Unë isha pjesë e atij grupi. Deklarata u bë sepse indeksi më i ri i korrupsionit i "Transperancy International" tregoi Shqipërinë të lëvizte në drejtim të gabuar. Duke lëvizur prapa, kur qëllimi i përcaktuar është për të bërë një kapërcim të madh përpara, është sigurisht, me të vërtetë, lajm i keq për ekipin shqiptar. Por edhe për ata nga ne që brohorasim nga tribuna. Si kujdestare e pjesës më të madhe të institucioneve shqiptare, qeveria, sigurisht, ka një përgjegjësi parësore për të siguruar një terren loje të mirë dhe që shteti i së drejtës të zbatohet në mënyrë të barabartë dhe pa paragjykim për të gjithë. Por korrupsioni, është me të vërtetë një problem social, i cili kërkon një ndryshim në mentalitetin e të gjithë shoqërisë. Ju mund ta ndryshoni atë mentalitet, besoj, vetëm nëse njerëzit shohin që ligji zbatohet te të gjithë, pavarësisht se kush janë ata, me kë janë të lidhur, kujt partie i përkasin, sa lekë fitojnë, çfarë makine ngasin etj. Për sa kohë që kjo nuk është treguar, kam frikë se çdo masë kundër korrupsionit nuk do ta kalojë "provën e lakmusit" për ndryshimin e sjelljes.

Përveç përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, edhe një pjesë e personaliteteve të ndryshme shqiptare si ish-presidentët apo edhe politikanë veteranë, madje edhe intelektualë të ndryshëm kanë apeluar për një ulje të tensionit politik, i cili po konfronton edhe shoqërinë. A mund të thuhet se shoqëria shqiptare po e bën detyrën e saj karshi politikës?

Po, mendoj se kjo është një shenjë pozitive. E shikoj si një tregues mirëbesimi në demokracinë shqiptare - se kompromisi dhe dialogu janë rruga drejt të ardhmes. Por, sigurisht, edhe të të kuptuarit të pasojave të tmerrshme që bllokimi politik mund të ketë për të ardhmen e Shqipërisë.

Nëse situata nuk do të përmirësohet, cilat do të jenë pasojat për Shqipërinë në kuadrin e integrimeve europiane?

Për ta vazhduar metaforën e futbollit: ekipi shqiptar rrezikon të mos kalojë në finale. Të paktën jo në këtë raund. Kaq e thjeshtë është. Asnjë nuk dëshiron që kjo të ndodhë. Por ne vetëm mund të brohorasim dhe të japim kurajë nga jashtë fushës. Në fund të fundit, është në dorë të ekipit shqiptar të shënojë.

Z. Ambasador, një pyetje jashtë suazës së krizës. Ju tashmë e njihni Shqipërinë, ndërkohë që keni eksperiencë në punën si diplomat. Cili është opinioni juaj për vendin tonë?

Shqipëria ka qenë një surprizë shumë pozitive, me të vërtetë. Unë menjëherë arrita ta dashuroja Shqipërinë dhe veçanërisht njerëzit e saj. Duhet të përpiqesh shumë për të gjetur një popull kaq të këndshëm dhe mikpritës. Mbi të gjitha, ka një frymë të admirueshme zelli dhe vrulli. Shqipëria gjithashtu është unike në nivelin e saj më të vërtetë të shquar të tolerancës fetare dhe në mençurinë e konseguencën e politikës së saj të jashtme. Shqipëria ka gjithashtu shumë për të ofruar si vend. Vendi është i bekuar nga bukuri natyrore dhe një klimë e këndshme. Jeni shumë të pasur me burime natyrore. Por ndoshta, gjërat më të çmuara që keni, janë ato që nuk keni, pikërisht bagazhi i madh i krijuar nga gabimet e ndryshme që pjesës tjetër të Europës i duhet tani të ndreqë në nivele të ndryshme. Shqipëria ka vërtet avantazhin unik për t‘i perceptuar ato që kanë ndodhur. Në fakt, mendoj se Shqipëria duhet të bëjë të vetën, çdo gjë që është në të mirën e saj.

Sipas jush, cilat janë standardet në të cilat Shqipëria ende është deficente në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Nuk jam ekspert për vendet e tjera të Ballkanit. Por disa, qartësisht, kanë treguar më shumë aftësi për të përmbushur kërkesa të caktuara, p.sh. në fushën e vizave. Kjo ka të bëjë shumë me vendosmërinë për të ndërtuar dhe ruajtur kapacitetin administrativ. Nga ana tjetër, tradita e Shqipërisë për t‘i parë pozicionet në shërbimin publik si plaçka për t‘u rrëmbyer nga fituesi, e bën më të vështirë ruajtjen apo edhe arritjen e standardeve, profesionalizmin dhe ekspertizën e kërkuar nga BE.

Për t‘iu kthyer analogjisë me futbollin: Është e vështirë të fitohet, nëse ju, në mënyrë të vazhdueshme, ndërroni anëtarët e ekipit tuaj, pa arsye, jo nga paaftësia e tyre për të fituar ndeshjen. Ne ende jemi dëshmitarë të një ndryshimi tjetër të madh të personelit në të gjitha nivelet, i cili, shumë sinqerisht, nuk do ta bëjë më të lehtë për Shqipërinë arritjen e synimeve që ajo ka. Gjithashtu nuk do ta bëjë më të lehtë tërheqjen e ndihmës apo asistencës së huaj. Taksapaguesit dhe qeveritë e huaja kanë shpenzuar sasi kohe të jashtëzakonshme, burime dhe para për të kualifikuar njerëzit, për t‘i parë ata shpesh të hedhur tej.

Danimarka dhe Shqipëria, cilat janë stadet e marrëdhënieve mes dy vendeve tona?

Danimarka, ka qenë një donator kryesor. Ne ende po financojmë projekte në bujqësi, shkatërrim municionesh etj., por theksi tashmë është në bashkëpunimin ekonomik dhe politik midis të barabartëve. Në një kuptim, mund të thuhet se marrëdhënia është pjekur. Danimarka dhe Shqipëria, danezët dhe shqiptarët kanë shumë më tepër të përbashkëta sesa ju mund të mendoni. Të dy jemi vende të vogla dhe shumë nga problemet të cilave Shqipëria duhet t‘u gjejë zgjidhje praktike, ne i kemi zgjidhur në mënyra të cilat mendoj se do të ishin të përshtatshme në kontekstin shqiptar. Veçanërisht, në një fushë si energjia dhe mjedisi, kemi shumë për të ofruar, por edhe në shumë fusha të tjera gjithashtu. Shumë zgjidhje daneze mund t‘i përshtaten kontekstit shqiptar. Por ngjashmëritë shkojnë përtej kësaj. Unë jam çuditur kur kam parë se danezët dhe shqiptarët kanë shumë të përbashkëta në mentalitet dhe humor. Është e lehtë për danezët dhe shqiptarët të shkojnë mirë dhe prandaj ne punojmë jashtëzakonisht mirë së bashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›