Gjendet trupi i pajetë i 2-vjeçarit të zhdukur dy ditë më parë
TIRANË – Gjendet trupi i pajetë i 2-vjeçarit të mbytur dy ditë më parë, Policia bën të ditur se është duke zhvilluar hetime për rrethanat në të cilat është mbytur fëmija. “Pas kallëzimit të marrë me datë 14 mars 2010, në orën 16:00, nga shtetasja Mirela Kazanxhiu, banuese në Valias, se rreth orës 11:30, te banesa e babait të saj te Bregu i Lumit, në Babrru, i ka humbur djali i mitur me inicialet I. K., 2 vjeç e gjysmë, menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me familjarët, filluan kërkimin për gjetjen e fëmijës së humbur”, - thuhet në një deklaratë zyrtare të Policisë. Sipas saj, pas kërkimeve për disa orë, dje, në orët e para të mëngjesit, pas verifikimeve në të gjithë zonën, fëmija u gjet pas Spitalit Ushtarak, i mbytur pranë një ure në Bregun e Lumit. “Menjëherë hetuesit e policisë shkuan në vendngjarje dhe nga grupi hetimor u konstatua se viktima e mbytur ishte fëmija me iniciale I. K., 2 vjeç e gjysmë”, - citohej në deklaratën e Policisë. Sipas saj, trupi pa jetë i fëmijës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të mbytjes se të miturit.
Plagoi në qendër të qyteti, pranga autorit
LUSHNJË – Vihet në pranga Genci Shurdhi, i shpallur në kërkim disa ditë më parë për shkëmbimin e zjarrit të ndodhur në qendër të qytetit, ku u plagos shtetasi me inicialet R. K. Policia e qytetit të Lushnjës bën të ditur se ka arrestuar ditën e djeshme Genci Shurdhin, i dyshuari kryesor për plagosjen e R. K. në lagjen “Çlirimi”.
Ngjarja për të cilën Shurdhi akuzohet ka ndodhur pesë ditë më parë, ku pas një debati, i cili më pas ka degjeneruar në konflikt fizik, Genc Shurdhi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të R. K., duke e plagosur atë në këmbë. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Lushnjës u vu në ndjekje të autorit, duke e arrestuar atë ditën e djeshme.
Aksidenti, një i vdekur dhe tre të plagosur
TIRANË - FUSHË-KRUJË – Dy aksidente janë regjistruar ditën e djeshme në rrugët e vendit, ku njëri prej tyre me pasojë tragjike për një 72-vjeçar në Tiranë, ndërsa në aksin rrugor Fushë-Krujë – Milot një makinë ka dalë nga kontrolli duke plagosur tre shtetas turq që udhëtonin në të.
Një i moshuar gjeti vdekjen dje në afërsi të zonës së Bërrylit në Tiranë, pasi u aksidentua rëndë nga një motor. Policia e kryeqytetit bën të ditur se Nexhmedin Dynjaja, 72 vjeç, humbi jetën pasi u godit nga një motor. Viktima ishte duke kaluar në rrugë në zonën e “Bërrylit” në Tiranë, kur është goditur nga një motoçikletë, drejtuesi i së cilës menjëherë pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia tha se grupi i hetimit shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që po hetohet për rrethanat e ngjarjes. Shërbimet e policisë thanë gjithashtu se kanë nisur kërkimet për autorin e ngjarjes, bazuar në mbetjet e thyera të motorit që janë gjetur në vendin ku ndodhi aksidenti.
Pak orë më parë tre shtetas me kombësi turke kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik të ndodhur në autostradën Fushë-Krujë - Milot. Policia thotë se aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, në afërsi të Thumanës. Tre shtetasit turq, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë qenë duke udhëtuar me fuoristradën me targë TR 8062 N nga Tirana në drejtim të veriut, kur automjeti i tyre ka dalë nga rruga dhe pasi është rrotulluar disa herë ka përfunduar jashtë saj. Policia thotë se tre shtetasit e huaj kanë pësuar plagë të rënda dhe janë shoqëruar në Spital Ushtarak në Tiranë.
Përdori pasaportën e një shtetase maqedonase, pranga 27-vjeçares
DURRËS – Përdori pasaportën e një shtetase maqedonase, me të cilën kishte ngjashmëri, por arrestohet nga policia për “falsifikim dokumentesh”. Policia e Durrësit bëri të ditur se filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetases D. Sh., 27-vjeçare, lindur në Kukës e banuese në Lagjen Nr. 14 Durrës. “Procedimi penal ndaj saj filloi për arsye se dje rreth orës 22:00 është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit duke tentuar të udhëtojë në mënyrë të kundërligjshme për në Itali me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, duke përdorur për udhëtim pasaportën biometrike në emër të shtetases maqedonase E. C., duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me të”, - thuhet në njoftimin e Policisë së qytetit bregdetar. Materialet procedurale në ngarkim të saj për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
16 Mars 2010