Arrestohet grabitësi i dhunshëm, shënjestronte fëmijë dhe gra
BERAT - Policia e Beratit ka arrestuar një 25-vjeçar, i cili grabiste fëmijët dhe gratë në errësirë. Në momentin që i kërkuari po shkëmbente 50 euro të falsifikuara, policia i ka vënë prangat, pasi dyshohej se është autor i disa grabitjeve me dhunë në qytetin e Beratit. Burimet policore të qarkut Berat bëjnë të ditur se autori i ngjarjes është Adrian Veleshnja, 25 vjeç, banues në lagjen “30 vjetori” në këtë qytet. Gjatë këtij muaji në policinë e Beratit janë bërë rreth 4 denoncime nga gra dhe fëmijë, të cilëve ai dyshohet se u kishte grabitur aparate celularë, si dhe materiale të tjera. 25-vjeçari sulmonte në mbrëmje dhe konkretisht gratë dhe fëmijët që ishin më të pambrojtur dhe e kishte më lehtë t’i grabiste. Autori jo vetëm i grabiste viktimat, por ushtronte ndaj tyre dhunë fizike duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Era e fortë dhe dallgët pengojnë nisjen e trageteve
VLORË - Portet e Vlorës dhe të Durrësit janë bllokuar përkohësisht gjatë ditës së djeshme për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të shumta. Forca goditëse e dallgëve të detit arrinte derri në 7 ballë. Për këtë arsye, asnjë anije peshkimi nuk ka dalë në det të hapur. Burimet nga kapiteneria e Portit të Vlorës thanë se tre tragete të linjës detare Brindisi-Vlorë nuk u nisën nga porti italian për arsye të kushteve të vështira atmosferike. Në gjirin detar të Vlorës era ka pasur një shpejtësi prej 10-11 m/sek. Ndërkaq, për shkak të motit të keq, edhe tragetet kanë pasur vështirësi lundrimi, duke mos mbërritur në kohën e duhur. Kushtet atmosferike në gjirin detar të Vlorës dhe të Durrësit në ditët në vazhdim parashikohen të jenë të paqëndrueshme. Presioni atmosferik në zbritje do të ndikojë për një mot të paqëndrueshëm dhe me vranësira të vazhdueshme.
Vetëdorëzohet, akuzohej për tentativë vrasjeje
SHKODËR - Një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim për veprën penale “vrasje së ngelur në tentativë”, është vetëdorëzuar në polici pasditen e së martës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Edmond Spahija, 41 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Vojo Kushi" të qytetit verior. Ai akuzohet se më datë 18 nëntor të këtij viti, në lagjen "S. Halili", ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin S. Sinanaj. Spahija është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër. Policia kreu të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të 41-vjeçarit i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës.
2 Dhjetor 2009