E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolapsi, katër anëtarë të KLD-së, me mandat të mbaruar



Aktualisht, sipas afateve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kanë mbaruar mandatet e katër prej anëtarëve. Të katër anëtarët kanë më shumë se pesë vite që e kanë këtë post dhe në situata normale duhet të ishte thirrur me kohë Konferenca Kombëtare Gjyqësore për t’i zëvendësuar ata. Pasi anëtarët me mandat të mbaruar janë të gjithë të zgjedhur prej trupës së gjyqtarëve. Mirëpo, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit dhe urdhërimin ndaj Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri, gjithçka duket se është futur në një kolaps. Ky kaos, jo vetëm në radhët e Gjyqësorit, por edhe mes vetë pushteteve për shkak të rëndësisë që ka ligji në fjalë. Duke qenë se sa më shumë kohë kalon, aq më e rëndë bëhet situata, kryetarja e Gjykatës së Lartë mblodhi të gjithë aktorët kryesorë të gjykatave, duke dalë në fund me një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë kërkohej vetadministrimi. Ky qëndrim u mbrojt edhe nga qeveria, ku me sa duket është tejet e interesuar të krijojë një frymë të re në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. E gjithë kjo betejë deklaratash për shkak se ky Këshill aktualisht mban timonin e sistemit të Drejtësisë.

Betejat e deklaratave

Nishani: “Drafti është gati, por gjyqtarët nuk mund të rrinë në ngërç”

Nishani është i mendimit se funksionimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare nuk mund të mbetet në ngërç, aq më tepër që edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetërregullim. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e projektligjit “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare”, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të Drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, shoqatave të gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. "Qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që Konferenca Gjyqësore Kombëtare të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetorganizimit të saj”, - deklaroi ministri.

Kreshnik Spahiu: “Ligji, pas miratimit në Kuvend”

“Kam qenë dhe jam e mendimit që të mundësohet sa më parë mbledhja e Konferencës për t’u dhënë zgjidhje problemeve. Në kushtet aktuale të mungesës së opozitës në Kuvend, miratimi i këtij projektligji është i pamundur”, - u shpreh nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili mbështeti projektligjin e ri dhe shprehu gatishmëri, qoftë edhe për lobing, që ky projektligj të kalojë në Kuvend në mënyrë që situata të zhbllokohet. “KLD-ja prej disa muajsh është vënë në vështirësi për të realizuar në mënyrë funksionale rinovimin e vet, për shkak të vonesave në miratimin e ligjit. Nuk na takon të paragjykojmë një votim apo mosvotim, por kemi detyrën të japim kontributin tonë, madje edhe të lobojmë që ky ligj të votohet”, - u shpreh Spahiu.

Deklarata e përbashkët e 12 kryetarëve

Deklarata e përbashkët u hartua pas takimit që u zhvillua tri ditë më parë në organizimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në takim morën pjesë të gjithë kryetarët e gjykatave, të të gjitha niveleve, dy shoqatat e Gjyqësorit dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në Drejtësi, si EURALIUS, USAID etj. Kjo tryezë e rrumbullakët, e cila mblidhej për herë të dytë, ka pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u hodhën mendime mbi problemet dhe shqetësimet që janë aktualisht në fokus të sistemit gjyqësor shqiptar. Në përfundim të mbledhjes pjesëmarrësit dolën me një deklaratë në të cilën aktorët kryesorë të gjykatave, por jo vetëm, parashtrojnë disa kërkesa si ndaj Ministrisë së Drejtësisë, ashtu edhe ndaj klasës politike në tërësi. Ata vendosën të mblidheshin me 5 dhjetor me të gjithë trupën gjyqësore për të diskutuar për një sërë çështjesh midis tyre edhe mbi fatin e Konferencës Gjyqësore.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›