E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë jep sot verdiktin për Ilir Kumbaron

Avokatët e të akuzuarit kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë dhënë në vitin 2003

Laureta Rryçi

TIRANË - Gjykata e Lartë pritet të japë sot verdiktin e saj mbi kërkesën e Ilir Kumbaros. Mbrojtësit ligjorë të ish-shikasit të arrestuar në Londër, i pandehur në procesin gjyqësor të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, kërkojnë nga Gjykata e Lartë shfuqizimin masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë nga Shkalla e Parë në vitin 2003. Kjo masë është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Avokatët e Kumbaros, me anë të një rekursi, i janë drejtuar Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë duke i kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, pasi sipas tyre, kjo masë e dhënë në vitin 2003 është parashkruar. Përveç parashkrimit, avokatët pretendojnë që kjo masë të shuhet, pasi asnjë nga dy bashkë të pandehurit e tjerë të këtij procesit gjyqësor Arben Sefgjini e Avni Koldashi, nuk kanë masë sigurie.
Shqyrtimi
Për këtë rekurs Gjykata Lartë ka caktuar ditën e sotme për shqyrtimin saj, nga treshja gjykuese e kryesuar nga Fatos Lulo. Në vendimin e Shkallës së Parë thuhet se me kërkesë dhe këmbëngulje të Avokatit të Popullit, organi i akuzës nisi hetimet për herë të parë ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro, duke e akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopullit e Avdyl Loshajt, si dhe rrëmbimin e zhdukjen e kosovarit Remzi Hoxha. Për këto dyshime, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë Kumbaros, por që kjo masë asnjëherë nuk u ekzekutua pasi i pandehuri nuk ishte në Shqipëri. Me arrestimin e tij në Londër dhe vendimin për ekstradimin në Shqipëri, avokatët mbrojtës kërkuan që kjo masë e sigurisë të shfuqizohet pasi i kanë kaluar të gjitha afatet. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas ajo e Apelit e la në fuqi këtë vendim, ndërsa avokatët iu drejtuan Gjykatës së Lartë me një rekurs ditën e dytë të dhjetorit.
Arrestimi
Kumbaro u arrestua disa muaj më parë në Angli për llogari të Prokurorisë shqiptare. Sipas informacioneve rezultoi se ai ruhej dhe përgjohej për një kohë të gjatë deri në finalizimin e aksionit policor. Për të fshirë gjurmët, Kumbaro ka bërë disa herë manovra duke ndryshuar adresë nëpër lagjet e londineze.
Kumbaro është një nga të pandehurit e procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Për këtë dosje ka në bankën e të akuzuarve 4 të pandehur, të gjithë ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Gjatë seancave të deritanishme gjyqësore kanë qenë vetëm Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini. Ky i fundit, aktualisht drejtor në Shërbimin e Provës. Kanë munguar në seanca gjyqësore Budjon Meçe, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe Ilir Kumbaro, që ishte në arrati. Por tani pritet që edhe Kumbaro të jetë para trupit gjykues pas ekstradimit nga Anglia. Ende nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë ekstradimi i tij.

Gjendet i mbytur në një përrua i sëmuri mendor

MAT - Mbrëmjen e së hënës është gjetur i pajetë në një përrua trupi i shtetasit Pashk Miza. Sipas burimeve policore, viktima kish disa ditë që ishte larguar nga familja. Kërkimet për 55-vjeçarin nisën pas denoncimit të familjes. Miza u gjend në fshatin Stojan të komunës Ulëz të Matit. Viktima është mbytur në një përrua të fshatit. Sipas burimeve policore, në trupin e 55-vjeçarit nuk kishte shenja dhune. Gjithashtu mësohet nga familjarët se shtetasi Pashk Miza ka qenë me të meta mendore. Dyshohet që viktima të jetë vetëmbytur. Policia po heton shkaqet e ngjarjes.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›