Eksploziv në Fabrikën e Çimentos, dyshime për lidhje me vrasjen e Zallës
FUSHË-KRUJË - Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë përsëri në shënjestër e shpërthimeve me eksploziv. Sipas burimeve zyrtare të policisë, një sasi prej 800 gramësh tritoli është vendosur në mjediset e brendshme të fabrikës, por që fatmirësisht lënda plasëse nuk ka shpërthyer, pasi, sipas uniformave blu, personi që ka vendosur lëndën plasëse duket se nuk ka qenë profesionist. Eksplozivi ishte vendosur në afërsi të peshores së fabrikës, në një distancë vetëm dhjetë metra nga vendi ku tri ditë më parë është vrarë Avdyl Zalla, 17-vjeçari që u qëllua me armë nga roja pasi po tentonte të vidhte çimento. Sipas policisë, personi ende i paidentifikuar, në momentin që ka ndezur fitilin zjarrpërcjellës, nga kallëpet e tritolit ka dalë kapsolla, e për pasojë edhe shpërthimi i saj, i cili do të kryente edhe aktivizimin e lëndës plasëse, ka ndodhur në distancë nga lënda plasëse, duke mos bërë të mundur shpërthimin e lëndës eksplozive. Pas plasjes së kapsollës kanë qenë rojet e fabrikës që kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur dhe ka nisur hetimet. Ndërsa deri tani polica e Krujës nuk ka shoqëruar asnjë person për ngjarjen. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur ditën e hënë, rreth orës 18:30, por që është mbajtur e papublikuar, pasi kanë qenë specialistët xhenierë që kanë ardhur për të larguar lëndën plasëse si dhe kryerjen e ekspertizës. Po kështu, sipas policisë, duke qenë se mbi lëndën plasëse janë gjetur edhe shenjat e gishtërinjve, polica ka preferuar ta mbajë të papublikuar ngjarjen, për të vazhduar edhe arrestimin e personit që ka vendosur eksplozivin. Nuk është rasti i parë që është vendosur eksploziv në fabrikën çimentos në Fushë-Krujë, por deri tani ka pasur dëmtime materiale.
Pranga grabitëseve të taksistit 60-vjeçar
KORÇË – Pas disa ditësh hetimi përfundojnë në pranga autorët e grabitjes dhe keqtrajtimit të një taksisti. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se autorët e ngjarjes janë shtetasit: Behator Mustafaj, Mateo Dinella dhe Enton Pata, të tre nga qyteti i Korçës. Këta shtetas janë të proceduar dhe më parë për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”. Të premten në mbrëmje ata kishin ndaluar taksinë e drejtuar nga 60-vjeçari Agron Përlati me justifikimin për t’i dërguar në lagjen e re të qytetit. Por, pasi kanë hipur në makinë, tre grabitësit e kanë dhunuar taksistin me mjete të forta dhe më pas janë larguar me mjetin duke marrë me vete dhe gjithë paratë që dispononte ai. 60-vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sapo kanë mbërritur në periferi të qytetit, ata kanë braktisur makinën dhe u larguan në drejtim të paditur, deri në kohën kur janë arrestuar nga uniformat blu të Korçës. Kjo ngjarje ka ngjallur edhe reagimin e Sindikatës së Taksistëve në Korçë, të cilët i kërkuan shtetit të merrte masa për mbrojtjen e jetëve të tyre, në të kundërt ata paralajmëruan protesta.
2 Dhjetor 2009