E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: Komisioni Europian po shqyrton konkurrencën tregtare

Përfundoi dje në Pragë procesi i kontrollit, i cili nisi më 24 nëntor. Menaxheri i CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek, sqaron inspektimin e KE-së

TIRANË – Kontrolli i Komisionit Europian ndaj kompanisë “CEZ” është pjesë e rregullave të monitorimit të konkurrencës në tregun e energjisë dhe lëndëve djegëse. Ky sqarim ka ardhur menjëherë pas publikimit të një sërë artikujsh në lidhje me hetimin që po bën Brukseli ndaj shtrirjes rajonale të kompanisë çeke, e cila ka blerë edhe OSSH-në (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) në Shqipëri. Menaxheri i firmës çeke në vendin tonë reagoi dje përmes një deklarate, duke u shprehur se procedurat e inspektimit të Komisionit Europian kanë nisur më 24 nëntor dhe kanë përfunduar dje.
“Komisioni Europian e justifikoi kontrollin duke dhënë arsyen se ka informacion që CEZ mund të ketë tentuar të kufizojë zhvillimin e konkurrencës midis kompanive në tregun e energjetikës”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Më konkretisht u tha se CEZ mund të kishte krijuar pengesa në projektet e prodhueseve konkurrente të energjisë dhe që mund të jetë i implikuar në kufizimin e tregtisë së qymyrgurit ose që mund të ketë manipuluar çmimet në tregun çek të energjetikës. Përfaqësuesi i CEZ-it në vendin tonë, Josef Hejsek, thotë se “ky kontroll vjen si rrjedhojë logjike e rritjes së CEZ-it, i cili sot është pjesë e kompanive më të mëdha të energjetikës, dhe për këtë arsye, ndodhet nën një mbikëqyrje të rreptë. Komisioni Europian, në të njëjtën mënyrë, ka ushtruar kontroll dhe mbi 20 kompani të tjera energjetike në 6 shtete të BE-së: së fundi, në mars të vitit 2009 realizoi kontrollin e rreptë në gjigantin francez ‘Electricité d’France’. Para një viti u inspektua gjithashtu kompania gjermane ‘EON’. Jemi të bindur që të gjitha veprimet tona në tregun e energjetikës janë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe etikën”. “Duke marrë në konsideratë se Komisioni Europian, disa herë është shprehur se tregu në Republikën Çeke është nga më të hapurit në komunitetin europian, mendojmë se edhe ky inspektim do të dalë me të njëjtin përfundim”, - thekson deklarata. Kompania “CEZ” shton se “këtë kontroll e mirëpresim dhe e shohim si një mundësi për t’u dhënë fund spekulimeve të përhapura nga konkurrentët tanë dhe nga kompanitë me të cilat jemi në kontradikta tregtare. Besojmë se Komisioni Europian do t’i marrë të gjitha faktet në shqyrtim”.
Gjatë ditës së djeshme ekspertët e Komisionit Europian u larguan nga zyrat qendrore të kompanisë së njohur çeke për prodhimin e energjisë, duke marrë me vete premtimin nga drejtuesit e saj se “CEZ ofron bashkëpunim maksimal dhe është i gatshëm që këtë bashkëpunim ta vazhdojë edhe në të ardhmen.
Komisioni Europian realizoi procedurat e kontrolli në kompaninë ‘CEZ’ duke u bazuar në Ligjin Nr. 20, paragrafi 4, urdhëresa 1/2003”.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›