Tatimi mbi të ardhurat personale mbush arkën e shtetit
TIRANË - Tatimi i pagave të qytetarëve ka mbushur buxhetin e shtetit gjatë këtij viti, ndërsa taksa të tilla, si TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, akciza që janë edhe zërat kryesorë në buxhetin e shtetit kanë pësuar rënie. Tatimi i të ardhurave personale ka pësuar një rritje prej 2.6 miliardë lekë, ekuivalente me 15% kundrejt planit. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton se gjatë 9-mujorit të këtij viti nga tatimi mbi të ardhurat personale u grumbulluan 20.3 miliardë lekë nga 17.6 miliardë lekë të planifikuara. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto të ardhura janë rritur me 24.6%, ose 4 miliardë lekë. Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave në këtë zë e ka dhënë tatimi mbi pagat në sektorin privat, kjo duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e të punësuarve në vendin tonë janë në biznese. Taksimi çdo muaj me 10% i pagës së çdo të punësuari në sektorin jo-publik, i ka rritur të ardhurat me 21% kundrejt vitit 2008.
Por, Ministria e Financave ka konstatuar gjithashtu se rritja e ndjeshme e të ardhurave nga ky zë për këtë vit është ndikuar edhe nga tatimi prej 10% i mbajtur në burim mbi vlerën e privatizimeve të kompanisë “ARMO” dhe “OSSH” që janë kryer në fund të vitit 2008.
Sipas burimeve nga ky dikaster, një pjesë e këtyre të ardhurave janë mbledhur në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe pjesa tjetër gjatë 2009-ës
2 Dhjetor 2009