E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunojnë policin e zonës, pranga dy vëllezërve

Skrapar

Ka ndërhyrë për shmangien e një sherri mes të afërmeve, por ka rënë pre e dhunës. Kështu ka ndodhur me policin e zonës në një fshat të Skraparit pasditen e ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka vënë në pranga autorët. Burime të policisë së qytetit të çorovodës bëjnë me dije se rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme është marrë informacioni për një grindje të ndodhur në fshatin Sharovë të Komunës Qendër në Rrethin e Skraparit. Vëllezërit Aljosha dhe Valter Kadiu mësohet se pasditen e djeshme janë grindur me kushëririn e tyre, Sokol Kadiu, në një lokal në qendër të fshatit, për shkak të problemeve të pronësisë. Burime nga vendi i ngjarjes bënë me dije se dy vëllezërit e kanë akuzuar kushëririn se me qëllim fuste bagëtitë në tokat e tyre. Kaq ka mjaftuar që mes dy vëllezërve dhe kushëririt të tyre të nisë një sherr, çka ka bërë që në vendin e ngjarjes të mbërrijë inspektori i zonës, Besnik Nasufi. Por, ndonëse ka ndërhyrë për shmangien e ndonjë ngjarjeje të rëndë, inspektori është dhunuar nga ana e dy vëllezërve Kadiu, 22 dhe 24 vjeç. Polici ka kërkuar më pas ndihmën e kolegëve të tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›