E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e arkëtares dhe argjendarit

Shtetasi i dyshuar, i cili raportohet të jetë nga Patosi,  është ndaluar në zonën e Don Boskos gjatë një operacioni të mirëorganizuar brenda banesës ku jetonte.

Policia ka arritur të sekuestrojë edhe armën e dy vrasjeve, të argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor 2011,dhe arkëtares Leonora Kaloci, dy ditë më parë.

Arrestimi i Gushit është realizuar nga 4 punonjës të SHKB, të cilët e morën në pyetje në garsonieren ku jetonte për rreth 1 orë. Sipas tyre ai ka pranuar se ka kryer 7 grabitje, mes të cilave edhe bankën “NBG” ku vrau arkëtaren, plagosi punonjësin e policisë. Sipas punonjësve të SHKB-së Gushi po ashtu  ka pranuar edhe vrasjen e argjendarit.

45-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa ka edhe dy fëmijë nga kjo martesë. Familjarët e tij jetojnë në shtetin fqinj të Greqisë, vend ku edhe ka grabitur para se të kthehej në Shqipëri./Start/

(16:08) Fotoja e autorit të dyshuar të vrasjes së bankieres

Tiranë - Policia e Tiranës e ka identitetin e autorit të vrasjes së arkëtares, ngjarje e ndodhur pasditen e së martës në afërsi të “Xhamllikut” në kryeqytet.

Fotoja është marrë nga kamerat e sigurisë, por ka rezolucion të ulët. Policia e ka shpërndarë atë edhe për mediat.

Në bazë të të dhënave, personi është jo më i gjatë se 170 cm dhe jo më i madh se 30-vjeç. Kjo shton mundësinë për të gjetur autorin që dyshohet se ka vrarë edhe një argjendar në tetor të vitit të shkuar po në Tiranë, ngjarje e cila mbetet e pazbardhur ende për policinë. Megjithatë, policia edhe tek fotoja e nxjerrë nuk është plotësisht e sigurt se mund të jetë ai, megjithëse në momentin e krimit vetëm ky shtetas është parë duke vrapuar.

Pamja është siguruar nga kamerat e bizneseve aty pranë. Një ditë më parë, zyrtarisht policia bëri me dije se arma e përdorur në bankë ku u qëlluan dy shtetas, njëri prej të cilëve humbi jetën, ishte e njëjtë me armën e përdorur më 21 tetor për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj.

"Në lidhje me tentativën për vjedhje me armë të filialit të ‘NBG Bank’ pranë sheshit “Shtraus”, ku mbeti i plagosur roja Skënder Elmazi, si dhe u plagos duke gjetur vdekjen në spital punonjësja Leonora Kaloçi, është një grup i posaçëm hetimor dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Nga zhvillimi i deritanishëm i hetimeve, rezulton se nga ekzaminimi kriminalistik–balistik i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, arma e përdorur në ngjarjen e së martës është përdorur edhe në vjedhjen me armë të argjendarisë me pasojë vdekjen e pronarit Rrapo Sinanaj, ngjarje e ndodhur në Tiranë më 21 tetor 2011", thuhej në komunikatën e policisë të shpërndarë pasditen e së mërkurës.

Gjatë këtyre ditëve, policia ka shoqëruar dhjetëra të rinj, por ende nuk ka një të dyshuar kryesor. Ngjarja ku humbi jetën arkëtarja e bankës, Leonora Kaloçi, nënë e dy fëmijëve ndodhi rreth orës 15:00 të martës në filialin e një banke në Tiranë, teksa nga ngjarja mbeti i plagosur rëndë edhe roja i sigurisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-03-29 19:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›