Arrestohet i kërkuari nga Interpol, i dënuar për vjedhje
TIRANË- Një i dënuar me 15 vjet burg për vjedhje me armë është arrestuar dy ditë më parë në shtetin fqinj, në Itali. Edison Malaj, 34 vjeç, nga qyteti i Vlorës, është arrestuar në Xhenova të Italisë për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi është dënuar gjashtë vjet më parë për vjedhje të kryer me armë. Lajmi për arrestimin e 34 -vjeçarit nga Vlora është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, ku thuhet se ky i fundit kërkohej prej shumë vitesh pas largimit në shtetin fqinj.
Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila e dënon me 15 vjet heqje lirie. Malaj është dënuar më 15 prill të vitit 2003 pasi është shpallur fajtor për veprën penale të vjedhjes me armë, ndërkohë mësohet se pas krimit, i dënuari është strehuar në Itali për t'i shpëtuar arrestimit të policisë.
Pasi është lokalizuar vendndodhja e të kërkuarit, është bërë i mundur dhe arrestimi i tij nga Policia italiane, e cila ka arritur ta identifikojë Edison Malajn nga informacionet që kishin dërguar për të nga autoritet shqiptare. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet Interpol Tiranes dhe Interpol Romës ka bërë të mundur arrestimin e të kërkuarit, i cili fshihej në Xhenova të Italisë. Mësohet se me arrestimin e 34 vjeçarit, midis dy vendeve do të fillojnë procedurat e ekstradimit të Malajt drejt Shqipërisë, për të vuajtur dënimin që ka marrë për akuzën e vjedhjes me armë.