E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët që gatuan skandalin e uniformave të policisë

Shkeljet antiligjore dhe prapaskenat e tenderit rreth 12 miliardë lekë, ku firma e parë ishte drejtori i sapoemëruar i Policisë së Shtetit.


Si dhe pse u shmang ministri i Brendshëm, roli që mori përsipër ish-drejtori i Policisë dhe kujt i duhej rrëzimi i uniformës së dizenjuar në 2004-ën?


Drejtues të një dikasteri, nga titullari deri te juristët janë të akuzuarit e një skandali që ende nuk është mbyllur.


Uniformat e reja të policisë së shtetit, përveçse janë bërë me një ngutje të pakuptimtë, sepse ato ishin bërë së fundi vetëm në vitin 2004, paraqesin një mori shkeljesh antiligjore dhe më tej një mënyrë "ligjore" për të zhvatur paratë e buxhetit të shtetit.


Skandali i miratimit antiligjor të uniformave të reja dhe të shenjave të Policisë së Shtetit, pasohet dhe me një skandal tjetër, në Ministrinë e Brendshme, në Policinë e Shtetit. Atë të miratimit antiligjor dhe të normave të uniformës së Policisë së Shtetit. Një grup pune (koka e Logjistikës në Policinë e Shtetit), në përbërje ish - Zv.


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Hysni Burgaj, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike - drejtues Xhevdet Kopani, Shefi i Sektorit të Shërbimeve - drejtues Zenel Hyka dhe specialistët e uniformave përkatësisht Kryekomisar Feksor Shkurti dhe Komisar Gëzim Sala, përgatitën dhe nënshkruan normat e furnizimit me uniformë të punonjësve të Policisë së Shtetit.


Ndërsa ish-Ministri i Brendshëm zoti Bujar Nishani iu shmang detyrimeve të Kushtetutës dhe të Ligjit, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zoti Ahmet Prençi, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, duke shpërdoruar detyrën, ka përdorur kompetencat e Ministrit të Brendshëm.


Miratimi antiligjor i normave të uniformës së Policisë së Shtetit me Urdhrin nr. 97 datë 16.02.2009 të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z. Ahmet Prençi gjen mbështetje te Neni 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili shprehet: Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë.


Ministri në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime. Më tej te neni 9, pika 1 e ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit", i cili shprehet: Policia ka buxhetin e saj, i cili është zë më vete në buxhetin e Ministrisë, të miratuar nga Kuvendi. Drejtori i Policisë është përgjegjës për menaxhimin efektiv dhe efiçent të buxhetit të miratuar.


Mirëpo, neni 9 pika 1 nuk parashikon kompetenca, që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit, nenit 20, pika 2 e Ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit", i cili shprehet: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i Policisë. Mirëpo, neni 20 pika 2 nuk parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit.


Në këndvështrimin e ngarkesës të nenit 9 (Buxheti i Policisë), pika 1 dhe të nenit 20 (Drejtori i Përgjithshëm i Policisë) pika 3/b, c, dhe ç, zoti Ahmet Prençi më shumë rezulton të ketë qenë Drejtor i Buxhet - Financës, sesa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.


VKM nr. 79 datë 21.01.2009 "Për miratimin e stemës, uniformës, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit". (pika 2.3) ka përcaktuar vetëm uniformat në përdorim të punonjësve të Policisë së Shtetit, si uniforma ceremoniale, uniforma bazë operacionale, uniforma e stërvitjes, uniformat e shërbimeve të veçanta etj.


Por ky vendim nuk specifikon se kush janë objektet që përfaqësojnë këto uniforma siç janë: kostumi i policisë me përbërje kapele, xhaketë, pantallona, xhupa, këmishë, pulovra, materiale lëkure, etj.


Për këto objekte nuk përcaktohen se kush janë modelet e tyre dhe të dhënat teknike për lëndët e para "tekstile" (struktura), që do të përdoren për konfeksionimin, ngjyrat e tyre, si ngjyrë karakteristike në një polici shteti. Nxjerrja e urdhrave për miratimin e normave bazohet në vendimin e Qeverisë që ka miratuar uniformat.


Mirëpo VKM nr. 79 datë 21.01.2009, nuk ka vendosur që Ministri i Brendshëm të ketë kompetenca për të miratuar normat e furnizimit me uniformë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë zoti Ahmet Prençi, çuditërisht në zbatim të VKM nr. 79 datë 21.01.2009, nxjerr urdhër nr. 97, datë 16.02.2009 "Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit".


Neni 56, ("Përdorimi i uniformës së Policisë") të Urdhrit të Ministrit të Brendshëm nr. 1404 datë 09.12.2008 "Për miratimin e rregullores së brendshme të Policisë së Shtetit, i cili shprehet: 1.


Kanë të drejtë të përdorin dhe veshin uniformën e Policisë së Shtetit vetëm punonjësit që kanë gradë policie. Rregullat për mbajtjen dhe përdorimin e uniformës përcaktohen në rregulloren e uniformës. Pra dhe neni 56 nuk parashikon kompetenca, që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit.


Dhe efektivisht, sot "Policia e Shtetit" në Shqipëri është e vetmja polici në botë që nuk ka rregullore të uniformës. Pa uniformë të miratuar nuk ka rregull, disiplinë. Ç'ka do të thotë se, nuk mund të vihen në përdorim uniformat dhe zbatimi i normave të tyre, pa pasur rregullore të uniformës.
Po Ministri i Brendshëm?


- Në zbatim të nenit 129 (Miratimi i akteve normative) të Ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit", ngarkohet Ministri të nxjerrë aktet normative në zbatim të këtij ligji. Dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave me vendim nr. 79 datë 21.01.2009, ka vendosur miratimin e Stemës, të Uniformës, Gradave, Emblemës, Flamurit dhe Shenjave të Policisë së Shtetit.


- Është Ministri i Brendshëm që, në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.


- Është Ministri i Brendshëm që, në zbatim të nenit 7 (Marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe Ministrit), pika 2/c të ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 "Për policinë e Shtetit", të nxjerrë urdhra dhe udhëzime në përputhje me këtë ligj ose ligje të tjera.


- Atëherë, përse Ministri i Brendshëm i shmanget detyrimeve Kushtetuese dhe ligjore? Thua se Ministri i Brendshëm nuk njeh Kushtetutën, Ligjin që, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Ahmet Prençi, merr dhe përdor kompetencat e Ministrit të Brendshëm?


Gjithsesi, sikurse janë të paligjshme Uniformat e reja, Emblema, Stemat e shërbimeve dhe shenjat e Policisë së Shtetit, pjesë të VKM nr. 79 datë 21.01.2009, sepse miratimi i tyre nuk gjen mbështetje ligjore, të paligjshme për zbatim janë dhe normat e uniformës së policisë së Shtetit të miratuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nr. 97, datë 16.02.2009, sepse në asnjë rast Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka në kompetencë të nxjerrë urdhra dhe udhëzime.


Nuk jam dhe nuk pretendoj të jem jurist. Këtë fushë e njoh aq sa e njoh, por rreth skandaleve të miratimit antiligjor të uniformave dhe normave të furnizimit me uniformë të Policisë së Shtetit, çmoj dhe vlerësoj: Si mund të vënë në përdorim punonjësit e Policisë së Shtetit, Uniformat, Emblemën, Stemat e shërbimeve dhe të Shenjave, pa u ligjëruar më parë?


Sepse pas nismave administrative ligjore në përgatitjen e një projektvendimi siç është rasti i nenit nr. 69 të Ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007, nuk parashikon që Uniformat dhe Shenjat e Policisë, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, por duhej më parë të merrej mendim nga Drejtoria e Kodifikimit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, nëse ky projektvendim është në harmoni me parashikimet e Kushtetutës dhe të Ligjit të Policisë së Shtetit.


Ky mendim duhej të merrej dhe nga Ministria e Kulturës nëse Flamuri, Stema, Shenja, Emblema etj., janë në përputhje me formën e Shqiponjës dhe të përkrenares sipas përcaktimit, që i është dhënë në Ligjin nr. 8926 datë 22.07.2002 "Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasat e Stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre".


Nga ky informacion i ligjëruar, Qeveria me vendim të posaçëm, vendos miratimin e Uniformës dhe të Shenjave të Policisë së Shtetit. Pra, më parë vendoset miratimi i Uniformës dhe të Shenjave të Policisë së Shtetit, pastaj përdorimi i tyre.


Dhe qëllimi i miratimit të Uniformës dhe të Shenjave të policisë, është përdorimi i tyre nga Policia. Prandaj, ka vendim qeverie, një mënyrë e mirë, që Shteti të dijë, të njohë dhe të dallojë policinë e vetë, Policinë e Shtetit me Uniformën dhe Shenjat e tyre identifikuese nga policitë e tjera.

Nënkomisar Sokrat Boçi


Ish-specialist veshmbathje në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Shkeljet e rënda, masat që nuk u morën

Pas këtyre skandaleve duheshin të ishin marrë këto masa:

1. Pavlefshmëria e zbatimit të VKM nr. 79 datë 21.01.2009 "Për miratimin e Stemës, të Uniformës, Gradave, Emblemës, Flamurit dhe Shenjave të Policisë së Shtetit", të këtij vendimi, sepse miratimet e tyre nuk gjejnë mbështetje ligjore. Ligji i ri i Policisë së Shtetit nr. 9749 datë 04.06.2007 (neni 69), nuk parashikon miratimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave.


Dhe nuk mund të përdoren fondet publike të tenderit për blerje objekte apo artikuj të Uniformës së Policisë, kur këto nuk specifikohen dhe nuk përshkruhen teknikisht në VKM nr. 79 datë 21.01.2009. Veçse të jetë Maliqi më i fortë se Ligji?


2. Pavlefshmëria e zbatimit të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nr. 97 datë 16.02.2009 "Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit", sepse në asnjë rast Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nuk ka në kompetencë të nxjerrë urdhër për miratimin e tyre.


3. Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha, duhet të kishte shkarkuar nga detyra e Ministrit të Brendshëm z. Bujar Nishani, pasi propozimi i tij për miratimin të Uniformës, Emblema, Stemat e shërbimeve dhe Shenjave të Policisë së Shtetit (pjesë e VKM nr. 79 datë 21.01.2009), nuk gjen mbështetje në Ligjin e ri të Policisë së Shtetit nr. 9749 datë 04.06.2007 (neni 69) nuk parashikon miratimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave.


4. Ish-Ministri i Brendshëm z. Bujar Nishani, për shpërdorim apo abuzim me detyrën, shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit njëherësh autorë të formulimit të Projekt - Vendimit abuziv të Qeverisë, kthyer në VKM nr. 79 datë 21.01.2009 "Për miratimin e Stemës, të Uniformës, Gradave, Emblemës, Flamurit dhe Shenjave të Policisë së Shtetit", duhet të kishte shkarkuar nga detyra:

- Zotin Ahmet Prençi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
- Zotin Hysni Burgaj, ish-Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
- Zotin Xhevdet Kopani, Drejtor i Drejtorisë Ekonomike,
- Zotin Zenel Hyka, Shef i Sektorit të Shërbimeve,
- Zotin Feksor Shkurti, Specialist i uniformave,
- Zotin Gëzim Sala, Specialist i uniformave,
- Juristë e Këshilltarë në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit, duhet të kenë të njëjtin ndëshkim.


Duke përfunduar: VKM nr. 79 datë 21.01.2009, të Uniformës, Stemave, Shenjave etj., që nuk gjejnë mbështetje ligjore për miratimin e tyre, po dhe nga mënyra sesi është formuluar ky vendim që lë shteg për abuzim, duhet shfuqizuar si vendim antiligjor dhe me pasojat se, do të prodhojë dëm moral e financiar, sepse mund të blihen objekte apo artikuj të uniformës të pamiratuara, të paformuara.


"POLICIA E SHTETIT - SHQIPËRI" nuk kishte dhe nuk ka nevojë për ndryshim uniformash dhe gradash, por për rritje pagash. Dhe jo si deri me sot, paga të mira vetëm për agallarët (kryekomisarë e lartë), por paga të mira për të gjithë punonjësit e policisë, nënkomisarët e komisarët, të mos mbeten ushtarë.


Policia e Shtetit: Uniformën e bënë italianët


Dizenjimi, modelimi dhe Kostumi i uniformës se re, Shenjave, Stemave, Emblemës dhe gradave për Punonjësit e Policisë së Shtetit filloi në Janar 2008, ku sipas Policisë së Shtetit kontribuan specialistë të të gjitha shërbimeve policore, por dhe historianë, heraldistë, etnografë, pedagogë të Universitetit Shtetëror, përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.


Sipas drejtuesve të Policisë së Shtetit, dizenjimi, modelimi dhe Kostumi i uniformës së re, Shenjave, Emblemës, Stemave dhe gradave për punonjësit e policisë, lindi si domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës, pasi: në Uniformën e policisë ishin evidentuar probleme e mangësi kryesisht në drejtim të paraqitjes së përgjithshme të saj, në cilësinë e materialeve të përdorura dhe se uniforma nuk realizonte një paraqitje dinjitoze të punonjësit të policisë.


Realizimi i këtij projekti synonte plotësimin e kërkesave të nevojshme përsa i përket anës funksionale, për të siguruar ruajtjen e shëndetit të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrave, ndërhyrjeve apo stërvitjeve të ndryshme, plotësimin e prezantimit dhe përfaqësimit me dinjitet të vlerave e simboleve kombëtare, historike e tradicionale të popullit dhe të Policisë së Shteti, të vlerave artistike, kulturore, e folklorike të kulturës sonë popullore, sigurimin e cilësisë së kërkuar e të nevojshme në drejtim të materialeve prej tekstili që do të përdoren për prodhimin e uniformës dhe të pjesëve të tjera përbërëse, realizimi i një prerje e qepje cilësore dhe profesionale të kostumeve dhe elementeve të tjerë përbërës të uniformës duke përdorur metodat bashkëkohore të modelimit, realizimin e një uniforme higjienike e shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit të punonjësit të policisë në të gjitha stinët e vitit dhe në kushte të ndryshme atmosferike.


Dizenjimin e uniformës dhe të elementeve të tjerë përbërës e bëri firma italiane "Eumar International S.R.L".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›