E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumi merr makinën me vete, dy të vdekur

Fuoristrada po tentonte që të kalonte lumin por uji i rrëmbyer e ka marrë me vete. Vdes 19-vjeçarja dhe daja i saj 30-vjeç



GRAMSH- Dy persona konsiderohen të mbytur ndërsa dy të tjerë kanë mundur t'i shpëtojnë ujit teksa po tentonin të kalonin lumin me një mjet tip fuoristradë. Ngjarja ka ndodhur në lumin Sojnik në afërsi të fshatit Gribë, komuna Kukër në rrethin e Gramshit. Sipas të dhënave nga persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes, një mjet fuoristradë tip Mitsubishi me targa "LU1379C", me katër persona ka qenë në një dasmë në fshatin Gribë dhe në kthim është përballur me prurje të shumta të lumit Sojnik. Drejtuesi Eduart Kadiu ka tentuar të kalojë por mjeti është përfshirë nga uji dhe për pasojë kanë rrezikuar jetën të katër personat. Nga të dhënat e para mësohet se kanë mundur të dalin nga mjeti e të shpëtojnë shtetasit Eduard Kadiu, 32 vjeç, dhe Artan Hysa, 33 vjeç. Ndërkohë nuk kanë mundur të dalin dhe janë mbytur në mjetin e përfshirë nga uji pasi ndodheshin në sediljen e pasme, lir Mema 30 vjeç dhe mbesa e tij Elsa (Manushaqe) Rika, 19 vjeç. Ende dy trupat nuk janë nxjerrë nga uji pasi dyshohet se ato i ka marrë rrjedha e rrëmbyeshme e lumit.

Të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë qenë kryetari i komunës, Luan Kokla, dhe banorë të fshatit. Nga ana e Koklës është njoftuar policia dhe mjetet zjarrfikëse për të nxjerrë makinën nga uji por vështirësitë kanë qenë të mëdha për shkak të ujit të rrëmbyeshëm. Situata e krijuar për shkak të lagështirës, reshjeve të vazhdueshme dhe të mjegullës së krijuar ka bërë të pamundur çdo ndërhyrje tjetër. Janë dashur gati dy orë që të mbërrijnë mjete zjarrfikëse për tërheqjen e fuoristradës nga uji. Vetëm rreth orës 20.30, zjarrfikësit kanë filluar të tërheqin mjetin ku ndodheshin dy trupat e vdekur të personave të konsideruar të zhdukur. ka krijuar probleme në operacionin për nxjerrjen e trupave. Në operacion janë përfshirë zjarrfikës dhe specialistë të RENEA-s. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit i cili pritet të sqarojë edhe rrethanat e aksidentit që i mori jetën 19- vjeçares dhe dajës së saj Ilir Mema, 30 vjeç. Dy të mbijetuarit kanë treguar se kishin kaluar edhe më parë lumin por këtë herë nuk kanë kuptuar sasinë e prurjeve nga shirat e dendur gjatë gjithë ditës. Katër personat kanë qenë në një dasmë tek disa të afërm të tyre në Gribë dhe bashkë kishin vendosur të ktheheshin pasi zotëronin edhe një mjet të lartë që mund të përballonte ujin por nuk kishin llogaritur mirë sasisë e prurjeve të shtuar trefish pas reshjeve të ditës së djeshme.

Nënprefekti i Gramshit, Gazmor Guri, i mbërritur në vendin e ngjarjes deklaroi se kjo fatkeqësi e shkaktuar nga natyra është mjaft e rëndë pasi kanë humbur jetën dy persona. "Nga ana e forcave të policisë dhe zjarrfikëses që kanë mbërritur në vendin e mbytjes së mjetit janë marrë të gjitha masat. Vazhdojnë kërkimet për dy trupat e pajetë dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë natës deri në nxjerrjen e dy viktimave". Për shkakun Guri shprehet se ka qenë ndoshta nxitimi dhe mos llogaritja e rrezikut që ka sjellë tragjedinë. Shumë mjete të tjera kanë pritur që të bjerë intensiteti i ujit ndërsa drejtuesi i fuoristradës ka tentuar të kalojë. Uji ka qenë shumë i rrëmbyeshëm e për pasojë makina është marrë përpara dhe është përmbysur. Dy personat kanë dalë ndërsa dy të tjerë kanë mbetur brenda. Ata janë një vajzë 19- vjeçare dhe daja i saj 30 vjeç. Dy të mbijetuarve i është dhënë ndihma e parë në urgjencën e spitalit të Gramshit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›