E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, përmbyten 500 banesa nga shirat

Situatë e rëndë në lagjet periferike dhe në qendër, nuk punon kolektori. Banorët: Na është rrezikuar jeta e fëmijëve



Qyteti i Durrësit ka gdhire totalisht i përmbytur nga ujërat mëngjesin e së shtunës. Mungesa e pastrimeve ne rrjetin kanalizues të qytetit, ndertimet mbi kolektor dhe hedhjet e inerteve në këto kolektorë kanë bërë që qarkullimi i ujërave të bllokohet. Mungesa e energjisë elektrike tek hidrovorët ka bërë që situata të përkeqësohet më shumë.
Të dhënat e para flasin për rreth 400-500 banesa të përmbytura duke sjellë drama në familjet e varfra të zonës. Shiu ka dëmtuar edhe mjaft biznese të ndodhura jo vetëm në periferi, por edhe në qendër të qytetit. Harta e dëmtimeve dhe mbulimit të sipërfaqeve të tëra me ujë është mjaft e madhe. Porto Romano, Spitalla, Zonat e ish Kënetës, Shkozeti, Plazhi, Plepat etj ishin kthyer ne liqene që të kujtonin Venecian.

Shirat e furishëm kanë rrezikuar edhe jetë njerëzish. Banorët e shtëpive të përmbytura kanë dalë me nxitim duke shkuar tek fqinjët e tyre. Në Spitallë, kanali kullues ka dalë nga shtrati, duke u derdhur në pak sekonda mbi familjen Buziu, që në atë moment gjendej në gjumë.
"Shpërthyen ujërat nga pas banesës dhe mbushën dhomën. Dera e shtëpisë nuk me hapej e tërhoqa me forcë dhe brava me mbeti ne dore",- thotë për "Shekullin" Ardian Buziu. Ai tregon se uji e ka bërë tërësisht të varfër. "I mora fëmijët dhe i kam nxjerrë nga penxheret e shtëpisë", tregon ai. Dhembja e bën t'i skuqen sytë, Ai ka 2 fëmije të vegjël, gruan e sëmure dhe vetë ishte i operuar ne zemër.

Në Prefekturën e Durrësit ka shkuar edhe Maliq Shpata, i cili ka mbetur jashtë së bashku me vëllanë Kujtimin, gratë dhe gjashtë fëmijë. "I kemi vënë fillimisht fëmijët mbi dollapë por ka pasur te tjerë që i kanë nxjerre mbi çati. Jemi në mes të katër rrugëve, pa shtëpi ku të flemë, pa ushqime, pa gjë..",- thotë ai. Rrezik të madh ka paraqitur situata e rënduar e reshjeve edhe në Kodër-Vilë. Në atë pjesë argjilore të qytetit janë lokalizuar shpeshherë shkarje dheu, të cilat bien nga lartësitë drejtpërsëdrejti mbi shëtitoren Bërryl-Currila. Ndërkohe që shiu ka përmbytur me dhjetëra ha toka bujqësore si në Durrës ashtu edhe në Kruje. Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në disa zona të deltës së lumit Zezë në Ishëm si dhe ne bregun e Erzenit. Në shume fshatra të Krujës, Murqinë, Gramëz, dhe Mallkuc, ka toka e banesa të përmbytura. E njëjta situatë është vënë re edhe në fshatrat Miliskaj, Mazhe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›