Diplomatët: Na paguani sigurimet e grave
Ambasadorë dhe ish-ambasadorë i janë drejtuar Avokatit të Popullit që ti ndihmojë në zgjidhjen e problemit të kontributeve
Që nga viti 2005 familjeve e diplomatëve nuk u janë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
TIRANË- Një grup diplomatësh shqiptarë që kanë shërbyer dhe shërbejnë në shërbimin diplomatik jashtë venditjanë ankuar tek Avokati i Popullit se shteti nuk ia ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortet e tyre që pas vitit 2005.
Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë zyrës së Avokatit të Popullit, ku komisionarët e këtij institucioni i janë drejtuar për herë të dytë brenda një viti Ministrisë së Jashtme duke i kërkuar zgjidhjen e këtij problemi.
Sipas rekomandimit me nr.K1/G4-12 protokolli të datës 4 nëntor 2009 drejtuar Ministrit të Jashtëm Ilir Meta, Avokati i Popullit kërkon që përshpejtohet zgjidhja e këtij problemi të sigurimit të bashkëshortëve/eve që kanë dhe shoqërojnë nëpunësit e përfaqësive diplomatike jashtë vendit.
Ish/ dhe ambasadorët pretendojnë se në detyrat e tyre jashtë vendit, janë shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, për të cilat ligji parashikon pagesë më vete për sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Por, që nga vitit 2005 problemi qëndron i pazgjidhur nga neglizhenca e strukturave që merren me Buxhetin dhe Personelin në Ministrinë e Punëve të Jashtme. "Ne e shohim problemin plotësisht të zgjidhshëm, por, duket qartë se këto struktura e kanë zvarritur pa asnjë arsye çështjen, duke treguar paaftësi dhe moskujdesje për kolegët e tyre.
Kështu që kjo kategori personash, pra bashkëshortët/et e nëpunësve të përfaqësive tona diplomatike nuk kanë përfituar ende edhe pse kjo parashikohet në ligjin "Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë",- thuhet në shkresën që i është dërguar Ministrisë së Jashtme.
Ndërkohë, sipas ish/ dhe diplomatëve, pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të këtyre personave parashikohet shprehimisht në nenin 46, paragrafi 1 të Ligjit nr. 9095 datë 3.07.2003 "Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë" në të cilin thuhet se: "Për personelin e Përfaqësive Diplomatike, koha e qëndrimit jashtë shtetit i njihet për efekt të vjetërsisë në punë dhe të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore edhe bashkëshortit/es, i cili/e cila shoqëron nëpunësin në përfaqësinë diplomatike".
Përkundër këtyre parashikimeve të qarta ligjore, sipas Avokatit të Popullit, ish/ dhe diplomatët bëjnë të ditur se janë munduar që këtë problem ta zgjidhin në rrugë institucionale me strukturat përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme por sipas tyre me gjithë dëshirën e mirë të shprehur nga strukturat përkatëse, për fat të keq konstatojmë që edhe në buxhetin e Ministrisë për vitin 2008 nuk është parashikuar zgjidhja financiare e këtij problemi".
Për këtë problem, mësohet se ankuesit i janë drejtuar disa institucioneve si Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Këta të fundit në përgjigjen e kthyer kanë shpjeguar se i kanë kërkuar Ministrisë së Jashtme, që të "hartoi një projekt-vendim për mbulimin me fonde, me destinacion pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për personelin që shoqërojnë nënpunësin në përfaqësitë tona diplomatike për sigurimin e periudhave të kaluara të tyre.
Si dhe të programojë fondin për sigurimin e personelit që shoqëron nëpunësin në përfaqësinë diplomatike gjatë hartimit të treguesve të projektbuxhetit, për vitin e ardhshëm.
REKOMANDIMI
Sipas Avokatit të Popullit kjo gjendje vazhdon të zvarritet dhe për këtë fakt i rekomandojnë Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta marrjen e masave të shpejta (duke pasur parasysh buxhetin e vitit 2010) për zgjidhjen e problemit të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortët/et, që shoqërojnë nëpunësin në përfaqësinë diplomatike.
Si dhe fillimin e ecurisë disiplinore për shqyrtimin e punës së personave përgjegjës për zvarritjen e kësaj çështje, me qellim marrjen e masave administrative për moskryerje të detyrës.
Ministria:
Nuk janë derdhur kontributet që nga viti 1994
TIRANË- Zyrtarët e Ministrisë së Jashtëm në përgjigjet e kthyera ish/ dhe ambasadorëve janë shprehur se kjo pagesë nuk është bërë që nga vitit 1994 dhe po punohet për evidentimin e të gjithë personave që kanë shërbyer në përfaqësitë diplomatike.
"Ministria e Punëve të Jashtme që nga vitit 2007 ka ngritur grupin e punës për këtë problem, i cili konkludoi lidhur me numrin e personave ndaj të cilëve duhet të derdhet ky kontribut që nga viti 1994, në mënyrë që të bëhej përllogaritja e fondit përkatës.
Drejtoria e Financës në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) duke mos pasur një akt zyrtar ku të përcaktohet paga bazë mbi të cilën do bëhet përllogaritja e fondit që do të duhej për të përballuar këto kontribute për kategorinë e parashikuar në ligj, ka kërkuar përcaktimin e kësaj page nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale duke bërë me dije për këtë problem edhe Ministrinë e Financave.
Me kthimin e këtyre përgjigjeve MPJ do të hartojë projektvendimin për tu miratuar nga Këshilli i Ministrave duke i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi"-thuhet nga zyrtarët e MPJ-së.
Ndërkohë në përgjigjen e
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta thuhet ndër të tjera se ligji aktual i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore e njohin kohën e qëndrimit jashtë shtetit të kësaj shtrese personash, për efekt të vjetërsisë në punë, bashkëshortit/es të cilët shoqërojnë nëpunësin në përfaqësinë diplomatike, buxheti i shtetit duhet të paguajë kontributet mbi bazën e pagës minimale mujore për efekt kontributesh të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.