Arrestohet, i mori me dhunë 600 mijë lekë në një makinë
ELBASAN - Një 29 vjeçar ka arritur t’i grabisë me dhunë një shumë prej 600 mijë lekësh një personi, por, më pas është ndaluar nga forcat e rendit. Burime të policisë bënë të ditur se “ 29 vjeçari Astrit Limani nga fshati Ostren i Peshkopisë dhe banues në qytetin e Përrenjasit u arrestua të dielën në mbrëmje, pasi vodhi me dhunë në automjetin e drejtuar nga shtetasi B.ZH. 49 vjeç, shumën prej 600 mijë lekësh”. Mësohet se ngjarja ndodhi pranë godinës së doganës së qytetit të Elbasanit. Sipas policisë 29-vjeçari Limani ka shfrytëzuar kohën që drejtuesi i mjetit “Man” me targa DV 00 93 A priste zhdoganimin duke dremitur mbi timon. Policia ka bërë identifikimin dhe ndalimin Astrit Limanit, i cili, tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit nën akuzën e “vjedhjes me dhunë”. Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor të Elbasanit.
Hetim në gjendje të lirë për dy sipërmarrësit grekë
GJIROKASTËR - Dy shtetasit grekë të ndaluar katër ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës,(Gjirokastër), me akuzën “mosdeklarim të shumës monetare” do të gjykohen në gjendje të lirë. Ky është vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit Gjirokastër, pasi shqyrtimit të dosjes nga institucioni i akuzës, i cili vlerësoi si të drejtë ndalimin e dy shtetasve Konstandinos Iliadis, 48 vjeç dhe Ioanis Boussias, 33 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Athinë (Greqi). Duke u bazuar në nivelin e rrezikshmërisë që paraqisnin dy të pandehurit, trupi gjykues vendosi që ata të hetohen në gjendje të lirë, duke u paraqitur me detyrim një herë në muaj në gjykatë. Tre ditë ditë më parë, dy shtetasit grekë po transportonin në mënyrë të paligjshme në automjetin tip "Seat", me targa greke ZMX 9897, shumën prej 450 mijë euro. Gjatë hetimeve paraparake rezultuan se disa fatura të lëshuara nga operatori bankar “Alfa Bank”, nuk ishin të rregullta.
Varfëria, i moshuari i jep fund jetës me fotoksinë
BERAT – Në kushtet e një varfërie ekstreme dhe depresioni të rende, një i moshuar i ka dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se “të dielën paradite është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Xhevair Selenica, lindur në vitin 1939, në Zhitom të komunës Tërpan. Sipas tyre, 69 vjeçari ka konsumuar një sasi të madhe substance vdekjeprurëse. Kanë qenë të afërmit e tij ata që e kanë parë në gjendje të rënduar Selenicën, të cilin e kanë nisur menjëherë drejt spitalit të qytetit të Poliçanit. Burimet spitalore pohojnë se i intoksikuari ka mbërritur rreth orës 14:00 në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Por gjendja e rënduar e pacientit ka bërë të pamundur ndërhyrjen e stafit mjekësor, dhe për më tepër, transferimin e tij për një trajtim më të specializuar drejt spitalit rajonal të Beratit. Sipas hetimeve të para, rezulton se 69-vjeçari ka gjetur vdekjen për shkak të konsumimit të fotoksinës në kushtet e një depresioni të thellë.
Bie kriku i makinës, vdes 18-vjeçari
KUKËS – Një tjetër viktimë e shkaktuar nga aksidentet në punë është regjistruar dhe pasdite në rrethin e Kukësit, ku një 18 vjeçar humbi jetën teksa po riparonte një automjet. Burime zyrtare të policisë lokale, thanë se ngjarja e rëndë ndodhi në zonën industriale të qytetit të Kukësit. Shtetasi Arif Gjocera, 18 vjeç, nga fshati Myc Mamëz, humbi jetën aksidentalisht teksa po riparonte një defekt në makinë. Shkak ka qenë rënia e krikut që mbante të ngritur makinën, i cili ka zënë poshtë nën rrotat e makinës 18 vjeçarin. Personat e pranishëm janë përpjekur t'i japin ndihmën e menjëhershme, por janë dashur disa minuta për ta ri-ngritur makinën dhe më pas për të nxjerrë Gjocerën, i cili është dërguar në spitalin civil të qytetit, ku mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij. Lidhur me ngjarjen e rëndë mësohet se prokuroria ka filluar hetimet.
15 Prill 2008