Rikthehen trafiqet Shqipëri-Itali, kapen 4 trafikantë droge
LECE – Rikthehen sërish trafiqet përmes rrugëve detare nga Shqipëria drejt Italisë. Rasti më i fundit është regjistruar dy ditë më parë, ku forcat policore të shtetit fqinjë arritën të prangosin katër persona, si dhe të sekuestrojnë një sasi prej 250 kilogram lëndë narkotike. Burimet zyrtare italiane pohojnë se janë ndaluar shtetasit Valter Azaj, 24 vjeç, Fatmir Ismailaj, 21 vjec, Ermal Isai, 19 vjec, dhe Edi Kazazi 25 vjeç. Që të gjithë të ndaluarit kanë lindur dhe banojnë në qytetin e Vlorës. Duke iu referuar mediave italiane, janë bllokuar të paktën 145 kilogram drogë e llojit marijuanë dhe 110 kilogram Canabis sativa. Ky është ndër rastet e rralla të kapjes së drogës së trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë që prej zbatimit të Memorandumit “Anti-skaf” nga qeveria Berisha.
Kapja
Megjithë masat e marra nga shteti dhe megjithë rregullat e rrepta të sanksionuara nga Memorandumi Anti-skaf, një gomone ka arritur të dalë nga brigjet shqiptare për të udhëtuar drejt Italisë, e mbushur plot me drogë. Autoritetet policore italiane njoftojnë se është ndaluar një mjet lundrues në bregdet, në afërsi të Leçes. Sipas të dhënave që raportojnë mediat, janë bllokuar një sasi prej 250 kilogramësh lëndë narkotike, ku 145 kg është marijuanë, ndërsa 110 kilogram të tjera janë Canabis sativa. Arrestimi i katër shqiptarëve u bë i mundur nga karabinierët e Trikasës. Katër të rinjtë nuk kanë bërë rezistencë, ndërkohë që iu janë sekuestruar edhe telefonat celularë si dhe shumë dokumente që mbanin me vete katër të rinjtë që ndodheshin në bordin e gomones. Sipas të dhënave zyrtare, droga e kapur, kishte një vlerë prej 400 000 eurosh. Të gjithë të ndaluarit janë shoqëruar në mjediset e paraburgimit të policisë së Leçes. Ndërkohë që ka nisur hetimi nga autoritetet policore italiane për zbardhjen e plotë të trafikut mes dy vendeve.
Rastet
Prej më shumë se 2 vjetësh kanë qenë të rralla rastet e trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Italisë përmes rrugëve detare. Pas miratimit të Memorandumit “Anti-skaf” nga qeveria Berisha, janë rralluar rastet e trafikimit të drogës. Por, janë të shumta rastet e trafikimit të klandestinëve. Pak ditë më parë u zbulua një përpjekje për të organizuar trafik klandestinësh nga porti i Durrësit. 7 persona nga rrethe të ndryshme të vendit u kapen në një kamion në portin e Durrësit, teksa po hynin në traget. Po ashtu, në fundin e dhjetorit të kaluar u ndalua një tentativë për organizim trafiku klandestinësh të organizuar me një gomone në Tale të Lezhës. Gjatë operacionit, policia ndaloi 37 klandestinë dhe prangosi katër organizatorë e trafikut. Në fundin e vitit 2006 autoritetet italiane kërkuan një seancë në Parlamentin italian për shtimin e rasteve të trafiqeve nga Shqipëria në drejtim të vendit të tyre.
15 Prill 2008