E Diel, 1 Nëntor 2026

Rojat bregdetare të tre vendeve shpëtojnë peshkatarin e mbetur në det



VLORË – SOS-it të lëshuar nga një peshkatar, i cili kishte mbetur në mes të dallgëve në det, i janë përgjigjur njëherësh shërbimet detare të tre vendeve; Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, të cilat kanë arritur ta shpëtojnë. Burimet zyrtare në Kapitenerinë e Portit të Vlorës bëjnë të ditur se ditën e diel në mbrëmje është dhënë sinjali për ndihmë nga një 33 vjeçar, i cili rrezikoi mbytjen në ujrat greke teksa po peshkonte me një gomone. Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, tha se “për shpëtimin e 33-vjeçarit Arben Belaj u angazhuan dy mjete lundruese të policisë kufitare të Vlorës si dhe dy mjete të Guardia di Finanza dhe Rojave Bregdetare Greke”. Mësohet se 33 vjeçari Balaj, baba i një fëmije të mitur, u shoqërua për në familjen e tij në gjendje shëndetësore normale. Nga të dhënat e policisë rezulton se ai kishte dalë për peshkim me një gomone me gjatësi 4-5 metra, e pajisur me një motor 15 kf, të cilit në lundrim e sipër i mbaroi karburanti. “Për këtë lundrim Belaj nuk kishte njoftuar autoritetet e policisë kufitare, sikundër parashikohet në ligjin përkatës”, tha Elezi, duke shtuar se 33 vjeçari nuk e kishte deklaruar mjetin lundrues, të cilin e kishte blerë rreth 3 muaj më parë.

Maskat e armatosura, vjedhje në aksin Fier-Vlorë

VLORË - Dy persona të maskuar dhe të armatosur, ende të paidentifikuar nga policia, grabitën në orët e para të ditës së djeshme drejtuesin e një makine që qarkullonte në aksin rrugor Vlorë-Fier. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "ngjarja ndodhi në orën 05:55, të ditës së hënë, në vendin e quajtur Çezma e Thatë, në afërsi të fshatit Panaja, në aksin rrugor Vlorë-Fier". Nga të dhënat e deritanishme të policisë rezulton se dy autorët i kanë ndaluar mjetin tip “Lancia” me targa VL 3027C dhe nën kërcënimin e armës i kanë grabitur drejtuesit të mjetit me iniciale V.K., 6200 lekë dhe dy aparate laboratorike. Forcat e policisë kanë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët po pyeten rreth kësaj ngjarjeje. Ende nuk ka të dhëna për autorët e kësaj grabitje me armë, megjithëse po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes nga organet përkatëse.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›