Kosovë, bëhen gati pasaportat për shtetasit e republikës
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka filluar përgatitjet teknike për nxjerrjen e dokumenteve, që sipas sugjerimeve të mekanizmave ndërkombëtarë, duhet të jenë të cilësisë së lartë, ndërsa dokumentet e UNMIK-ut do të mbeten të vlefshme deri në skadimin e fazës së tranzicionit. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti ka bërë të ditur se procesi është në fazën e negocimit dhe mund të thuhet se ka pengesa edhe pse mekanizmat ndërkombëtarë dhe Komisioni Europian kanë sugjerime që kërkojnë kualitetin e dokumenteve personale. Pajaziti po ashtu ka bërë të ditur se prodhimi i pasaportave do të bëhet jashtë Kosovës. “Procesi i prodhimit të pasaportave do të zgjasë, meqenëse nuk i prodhojmë këtu. Është një afat 4-mujor ne do të përkujdesemi që kjo periudhë të jetë përgatitore, që qytetarët të mos kenë probleme më, pas udhëtimit jashtë vendit”, ka thënë Pajaziti. Vlera e prodhimit të dokumenteve të identifikimit dhe udhëtimit, sipas ministrit Pajaziti, do të jetë rreth 4 milionë euro, ndërsa pasaportat e Republikës së Kosovës do të jenë me ngjyrë të kaltër të mbyllur me stemën e Republikës në mes. Për fëmijët nën moshën 3-vjeçare, afati i pasaportës do të jetë tri vjet, për qytetarët e moshës pesë deri në 27-vjeç, afati do të jetë pesë vjet, ndërkaq pasaporta me validitet 10-vjeçar do të lëshohet për personat më të vjetër se 27 vjet.
Bashkimi Europian: Maqedonia të vazhdojë reformat
Bashkimi Europian i ka kërkuar Maqedonisë që edhe pse nuk mori ftesën për anëtarësimin në NATO, ajo duhet të vazhdojë me reformat. Për këtë Brukseli i ka bërë thirrje Maqedonisë të krijojë sa më shpejt qeverinë, në mënyrë që të përmbushë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kërkesa e Unionit vjen pas vendimit të parlamentit të Maqedonisë për zgjedhje te parakohshme. “Eshtë e rëndësishme për aspiratat europiane të vendit dhe të qytetarëve të tij, që të krijohet qeveria e re sa më shpejt pas mbajtjes së zgjedhjeve. Ne kërkojmë nga qeveria e re të fokusohet tek reformat për anëtarësim”,-tha zëdhënësja e eurokomisionarit për Zgjerim, Oli Rehn.
15 Prill 2008