E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i riu, mori peng për borxhin 200 mijë lekësh

 

TIRANE - Prangoset i riu, mori peng fqinjin për borxhin 200 mijë lekësh. Policia e kryeqytetit pohon se në bazë të një urdhër arresti, të lëshuar nga gjykata, është vënë në pranga 21-vjeçari Endri Ago, lindur në Elbasan dhe banues në Yzberisht, Tiranë, i cili së bashku me një person tjetër, të quajtur Maksim Islami, kanë marrë peng një fqinj të tyre. Sipas burimeve policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 4 qershor, kur dy të rinjtë Endri Ago dhe Maksim Islami kanë futur në makinë Orland Tanushin, duke i bërë presion që t'u kthente borxhin që u detyrohej prej 200 mijë lekësh të vjetra. Pas premtimit nga ana e pengut se do ua kthente paratë, ata e kanë lënë të lirë dhe më pas ai u ka dhënë paratë. Rreth një muaj më vonë, më 9 korrik ai ka denoncuar në polici dy pengmarrësit, të cilët janë shpallur në kërkim. Sipas tij, ata e kanë rrëmbyer forcërisht dhe pasi e kanë futur në makinë i kanë bërë presion të vazhdueshëm për t'iu rikthyer borxhin. Më pas ata e kanë rrahur dhe kanë vazhduar ta dhunonin, derisa ai ka pranuar se do ua kthente 200 mijë lekët. Vetëm në këtë kohë, ata e kanë zbritur nga mjeti dhe ai pas pak u ka dhënë lekët. Një ditë më pas policia e përcolli denoncimin në prokurori, ndërsa gjykata vendosi masën e sigurisë në mungesë. Pas arrestimit të 21-vjeçarit dhe verifikimeve të bëra në polici, ka rezultuar se ai ka vuajtur një dënim të mëparshëm për "armëmbajtje pa leje" dhe "dëmtime të tjera me dashje", të cilin e kishte përfunduar vetëm pak muaj më parë. Pas arrestimit dhe dërgimit në komisariat, Ago është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, ku mësohet se ka dhënë versionin e vet të ngjarjes. Policia pohon se tashmë deklarimet e të akuzuarit po krahasohen me ato të dhëna nga i dëmtuari, ndërsa pritet që t'i dërgohen prokurorisë për të drejtuar hetimet e mëtejshme. Aktualisht ndaj të riut janë ngritur akuzat: "heqje e paligjshme e lirisë", "dëmtime të tjera me dashje" dhe "kanosje", të gjitha të kryera në bashkëpunim me Maksim Islamin, çka bën që të rëndohet pozita e dy të pandehurve. Ndërkohë gjatë paradites së sotme pritet që 21-vjeçari Ago të dërgohet në Gjykatën e Tiranës për t'u përballur me organin e akuzës gjatë seancës së komunikimit të masës së sigurisë, që është vendosur në mungesë ngarkim të tij.         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›