E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidente në Tiranë, përplasen tre motoçikleta, një i vdekur

 

TIRANE - Aksidentet me motoçikleta përgjakin Tiranën, bilanci i djeshëm është një i vdekur dhe tre të plagosur rëndë. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë dje se duke marrë shkas nga aksidentet e ndodhura, strukturat e Hetimit të Aksidenteve, pranë këtij institucioni, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Indrit Rraja, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë. Prangosja e tij u bë sepse rreth orës 18:00, në segmentin rrugor Vorë-Fushë Krujë, në fshatin Ahmetaq, duke drejtuar automjetin tip BMV, me targa SH 4243 E, është përplasur me çiklomotorin "Piaxho", me drejtues 65-vjeçarin Hyqmet Visha. Për pasojë të kësaj përplasjeje, i moshuari është aksidentuar rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak. Policia pohon se në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale ndërsa materialet e përpiluara në ngarkim të Rrajës i kaluan Prokurorisë nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Po kështu policia pohon se mbrëmjen e së hënës është vënë në pranga 16-vjeçari T.K., lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij është bërë pasi pak orë më parë në rrugën "Qemal Stafa", duke drejtuar motorin tip "Yamaha", me targa TR. 200 D, ka aksidentuar këmbësorin Ferit Agushi, 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i motorit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më vonë është kapur nga shërbimet e policisë rrugore. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale motorin e aksidentit, ndërsa ka përcjellë në prokurori dosjen ndaj të miturit nën akuzat: "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", "drejtim i mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi", dhe "largim nga vendi i aksidentit". Në të njëjtën kohë policia pohon se ka vënë në pranga edhe 27-vjeçarin Sokol Mema, lindur në Librazhd dhe banues në Vlorë, i cili në rrugën "Njazi Meka", duke drejtuar mjetin tip "Benz", me targa KR 4522 A, është përplasur me në motoçikletë që drejtohej nga Veli Isufi, 35 vjeç, banues në Kamëz, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak. Me anë të një komunikate, policia pohoi dje se efektivet e qarkullimit rrugor shohin si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›