Ekonomia e marsit me përmirësime minimale, Bode euforik në deklarata
Ervin KOÇI
“Ekonomia shqiptare po rikthehet në dinamikën e saj më të mirë dhe presionet e krizës ekonomike globale tashmë janë pjesë e së shkuarës”. Këto deklarata me tone paksa euforike dhe nota vetëkënaqësie janë bërë dje nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë daljes së përmuajshme për shtyp ku ka raportuar për shifrat e të ardhurave fiskale për muajin mars. Sipas Bodes, ekonomia shqiptare nuk ndodhet më nën efektet e krizës globale, ku për muajin mars është konstatuar tejkalimi i planit në Tatime dhe Dogana. “Ekonomia shqiptare i është rikthyer ritmeve normale të zhvillimit. Ilustrimin më të besueshëm për zhvillimet në ekonominë reale ne mund ti marrim përmes rezultateve fiskale. Administrata doganore ka tejkaluar me 2 për qind totalin. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tejkalon programin fillestar të qeverisë të muajit mars me një tejkalim prej 2 për qind”,- u shpreh ministri Bode. Këto rezultate duket se e kanë entuziazmuar shumë ministrin e Financave, si rrallë herë muajt e fundit, sa që ka harruar edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve. “Treguesit e fundit ekonomikë shtrojnë përpara skenarë të rinj, madje dhe atë për mos shkurtimin e shpenzimeve buxhetore që qeveria u detyrua të lajmëronte në fillim të vitit si pasojë e gjendjes së vështirë të financave publike”,- ka deklaruar Bode.
Të ardhurat
Gjatë muajit mars, të ardhurat nga doganat u rritën me 2,1 miliardë lekë ose me 28 për qind më shumë se një vit më parë. Për ministrin Bode, domethënëse, është rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve nga ana e biznesit vendas. Sipas Bodes, "megjithëse ka pasur rënie të importit të karburantit, është regjistruar rritje e të ardhurave doganore përtej objektivave. Ka pasur rritje të importit të makinerive dhe pajisjeve shenjë, që tregon rritje të investimeve”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, “krahasuar me një vit më parë janë 28 për qind më shumë të ardhura doganore”. Sinjale shumë pozitive sipas Bodes ka nga qarkullimi i brendshëm i mallrave. “Eksportet ‘Made in Albania’, gjatë muajve të parë të vitit janë rritur me 2,5 herë në sasi, rritje të fortë njohën edhe fasonët me 3,1 herë. Shifra pozitive për këtë periudhë kanë shënuar edhe të ardhurat tatimore”-, vijojë më tej kreu i Financave. Tendenca pozitive e të ardhurave, sipas numrit një të Financave do të vazhdojë edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, duke kontribuar si në uljen e deficitit ashtu dhe rritjen e mëtejshme të investimeve publike.
TVSH-ja
Ministri i Financave gjatë konferencës për shtyp, në prani edhe të drejtuesve të Tatimeve dhe Doganave evidentoi zërin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila është taksa që mat qarkullimin ekonomik të ekonomisë. Ai ka vlerësuar si pozitive edhe ecurinë e rimbursimit të TVSH-së për biznesin. Sipas tij, për 3 muajt e parë të këtij viti janë rimbursuar 1.2 miliardë lekë tatim mbi vlerën e shtuar, ose 720 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Elementi më i rëndësishëm për ekonominë ka të bëjë më rritjen e TVSH-së. Qarkullimi i mallrave të brendshme është rritur me 24.3 për qind”,- u shpreh Bode. Në një kohë që komuniteti i biznesin ankohet për vështirësi financiare të aktivitetit, si pasojë e efekteve të krizës ekonomike, ministri i Financave Bode duket se nuk ndan të njëjtin mendim. Sipas tij, pranvera ka nisur mbarë për ekonominë, duke zbehur çdo pesimizëm të zyrtarëve se efektet e krizës do të vijonin edhe gjatë këtij viti.
Kreditimi
Kreu i Financave u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë që të mbështesin me kredi biznesin, duke besuar më shumë tek sipërmarrjet private, si dhe duke ju përgjigjur kështu ritmeve të zhvillimit të ekonomisë. “Do t’i bëja thirrje sistemit bankar që të ketë më shumë besim tek bizneset dhe për ti mbështetur më shumë se deri sot”,- theksoi Bode. Sipas tij, “gjithçka mund të ndodhë, në se do të vijojmë me të njëjtin ritëm, ne mund të vijojmë me investimet ose do të ulim deficitin buxhetor”.
3 Prill 2010