E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset e vogla dhe dy ditë afat për librat e shitjeve dhe blerjeve



Ervin KOÇI

Të gjitha subjektet private që tashmë janë në skemën e TVSH-së, kanë afat deri në datën 5 prill 2010 për të bërë plotësimin dhe dorëzuar pranë Administratës Tatimore të librave të shitjeve dhe blerjeve. Duke iu referuar publikimit zyrtar në faqen elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gazeta “Albania” bën publik këtë lajm i cili prek në mënyrë të drejtë për drejtë të gjitha subjektet e biznesit. Këto të fundit janë duke mbyllur bilancet për periudhën tremujore janar-mars 2010, prandaj për këtë qëllim ato bashkë me shumë dokumente të tjera duhet të dorëzojnë pranë Administratës Tatimore edhe librat e shitjeve dhe blerjeve. Për të rikujtuar subjektet për të gjitha detyrimet që u takojnë gjatë muajve të ndryshëm, DPT-ja ka publikuar në ueb-sitin e saj (faqen elektronike), një kalendar të posaçëm i cili shënon me ngjyrë portokalli të gjitha datat përgjatë një muaji kalendarik në të cilat subjektet private duhet të bëjnë pagesat e ndryshme të taksave dhe detyrimeve të tjera fiskale. Sipas ekspertëve të DPT-së, “datat që në kalendarin elektronik shënohen me ngjyrën portokalli, përbëjnë dhe afatin e fundit për pagesën e një detyrimi tatimor ose për dorëzimin e një formulari ose dokumenti të caktuar”. Në morinë e informacioneve që përmban për subjektet private ueb-siti i DPT-së, janë të shpjeguara edhe mënyrat se si mund të bëhen nga cilido subjekt privat pagesat e taksave të ndryshme bashkë me udhëzimet dhe formularët përkatës të cilët mund të shkarkohen dhe printohen fare thjeshtë nga cilido i interesuar.

Dorëzimi i formularëve
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, deklarimi i të gjitha detyrimeve tatimore si dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes, do të kryhet nga të gjitha subjektet private vetëm në mënyrë elektronike. Për këtë, sipas kalendarit të përcaktuar do të dorëzohen elektronikisht këto deklarata tatimore: 1. Formulari i deklarimit dhe pagesës së TVSH-së. 2. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP). 3. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin (deklarata vjetore). 4. Formulari i deklarimit dhe pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Në kalendarin elektronik të përcaktuar për këtë qëllim nga ana e DPT-së, duhet të bëjnë dorëzimin subjektet e mëposhtme si: a) Subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, duke filluar nga periudha tatimore 1 janar 2010. b) Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin të regjistruara pranë Drejtorive Rajonale, duke filluar nga periudha tatimore 1 mars 2010. c) Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale për biznesin e vogël, duke filluar nga periudha tatimore 1 korrik 2010. ç) Entet shtetërore duhet të paraqesin deklaratat tatimore për Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP), për Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke filluar nga periudha tatimore 1 mars 2010.

Avantazhet e deklarimit
Deklarimi elektronik i tatimeve ju kursen kosto administrative si në kohë, ashtu dhe në burime njerëzore, duke reduktuar numrin e vizitave në zyrat e tatimeve. Ju mund të plotësoni deklaratat tatimore në kompjuter dhe t’i dorëzoni ato nëpërmjet internetit. Ju keni gjithashtu mundësinë që të bëni pagesën elektronike nëpërmjet sistemit e-banking, ose mund të shkoni në bankë për të bërë veprimet e nevojshme. Të gjithë tatimpaguesit në të gjithë Shqipërinë kanë mundësinë të deklarojnë elektronikisht detyrimet e tyre tatimore. Të gjitha komunikimet që kryhen në sistemin e deklarimit elektronik të tatimeve janë të “enkriptuara” (të mbrojtura) në bazë të standardeve ndërkombëtare. Informacioni që futet në këtë sistem është i njëjtë me atë të dërguar në mënyrën tradicionale shkresore, por niveli i sigurisë është shumë më i lartë, kjo për arsye se ekzistojnë rregulla të qarta dhe të prera për sa i përket procedurave të hyrjes në serverin ku ai ndodhet. Për më tepër, të gjitha veprimet që kryhen lenë gjurmë dhe mund të kontrollohen në çdo kohë. I gjithë informacioni që ndodhet në sistem ruhet në një kopje të dytë për raste problemesh.

Raporti 2009, Prokurimet Publike “mbyten” nga ankesat e subjekteve

Bizneset kanë rritur shqetësimet rreth mënyrës së bërjes së tenderëve, duke u ankuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për shkelje të afateve, fondit limit etj. Në raportin e vitit 2009, APP thotë se numri i ankesave u rrit 2 herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Konkretisht gjatë vitit 2009 janë paraqitur në total 1100 ankesa, nga të cilat 498 ankesa kanë rezultuar të pavlefshme, për mosrespektim të shkallëve të ankimit, dhe/ose për paraqitje jo sipas formularit standard. Vetëm për 67 ankesa është marrë vendim për modifikim të dokumenteve të tenderit. Në përfundim të hetimeve administrative, nga kjo drejtori janë vendosur gjoba, si dhe janë propozuar masa ndaj personave përgjegjës në mbi 50 për qind të rasteve. Po ashtu, APP ka kryer inspektime në disa institucione qendrore, nga ku ka vendosur gjoba për rastet e konstatuara me shkelje të ligjit “Për prokurimet”. Në 29 procedura prokurimi janë penalizuar personat përgjegjës me masë gjobe prej 50 mijë lekësh dhe në 5 procedura prokurimi me gjobë në vlerën prej 100.000 lekësh (këtu përfshihen anëtarët e KVO-së, Njësisë së Prokurimit, si dhe titullarët e AK). Gjatë gjithë vitit 2009, APP ka publikuar mbi 7500 tenderë, ku vetëm gjysma ka përfunduar me shpallje të fituesve.

Aksi Fier-Vlorë, amortizimi rrezikon pushimet e verës

Pushimet e verës në Vlorë janë në pikëpyetje. Të paktën kështu shprehen banorët e Qarkut të Fierit, të cilët prej vitesh kanë sfiduar largësinë me disa km dhe kanë preferuar të pushojnë në bregdetin e Vlorës. Nga Fieri deri në Vlorë rruga kombëtare që ka një gjatësi mbi 20 km është bërë e pakalueshme prej automjeteve. Segmenti rrugor Fier-Ura e Mifolit, në pothuaj të gjithë gjatësinë e tij është i shkatërruar. Për të përshkuar këtë segment më parë duheshin vetëm 10-12 minuta, ndërkohë që aktualisht duhen më tepër se 40 minuta, për shkak të amortizimit. Mosndërhyrja prej vitesh ka bërë që situata e rrugës të jetë sot në gjendjen më kritike të saj. Mjetet që lëvizin në të dy kahet e drejtimeve shpesh herë janë bërë objekt aksidenti si shkak i devijimit të gropave. Gjendjen e rëndë e pranon edhe drejtori i Ndërmarrjes Rajonale Mirëmbajtje Rruga Fier, Moxart Çela. “Mungesa e investimeve dhe koha e keqe, shiu që nuk ka pushuar gjatë gjithë dimrit, që ka ndikuar në keqësimin e gjendjes së rrugës”,- thotë ai. Këtë verë, por as në sezonin e ardhshëm, asnjë nga rrugët, as të reja dhe as të vjetra, nuk do të jenë në shërbim të turizmit dhe në funksion të pushuesve.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›