Arrestohet ish-administratori i fajdeve, u dënua me 1.5 vjet burg
Prangoset një nga pesë administratorët e fajdeve, i cili akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka abuzuar me 200 milionë dollarë. Arben Abazi ishte shpallur person në kërkim që në vitin 2007, pasi është dënuar me një vit e gjysmë burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Burimet policore të Tiranës thanë se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u realizua arrestimi i shtetasit Arben Kadri Abazi, 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Për të, Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 11 qershor 2007, ka dhënë dënimin 1 vit e 6 muaj heqje lirie. Sipas vendimit të gjykatës kanë qenë pesë administratorë të ish-skemave piramidale, që u akuzuan nga Prokuroria e Tiranës për "shpërdorim detyre". Bashkë me Abazin, u akuzuan Sabah Duçkollari, Nasip Ahmeti, Vjollca Gjylohmeti dhe Merita Ahmeti. Pesë të akuzuarit kanë kryer detyrat e administratorëve për asetet dhe pasuritë e ish-kompanisë piramidale, "Vefa Holding". Kallëzimi penal ndaj 5 administratorëve të aseteve dhe pasurive të ish-skemave piramidale, është bërë në muajin qershor të vitit 2006, nga kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për fajdet, Arben Imami. Nisur nga ky kallëzim, në të cilin ndodhej edhe emri i kryeadministratorit Farudin Arapi, prokuroria filloi hetimet. Gjatë verifikimeve, hetuesit gjetën elementë fajësie për pesë administratorët e lartpërmendur. Sipas dosjes, shumë qytetarë ishin hequr nga listat e debitorëve të skemave piramidale. Ata kishin tërhequr shuma marramendëse parash nga skemat piramidale dhe më pas emrat e tyre ishin hequr nga lista. Kjo ishte "rruga e artë", që u kishte hequr detyrimin një numri të konsiderueshëm qytetarësh, për të kthyer paratë e marra në arkat e piramidave. E gjithë kjo procedurë ishte kryer nëpërmjet një falsifikimi të pastër aktesh noteriale, apo dëshmish. Fakti alarmoi organin e akuzës. Menjëherë, prokuroria filloi të hartonte listën e dokumenteve që do të sekuestroheshin, si dhe personave që do të thirreshin si dëshmitarë. Për disa muaj me radhë, hetuesit e krimit ekonomik kryen verifikime të pafundme. Administratorët e akuzuar i thirrën disa herë në prokurori, ku dhanë sqarime lidhur me veprimet që kishin kryer.