E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, hidhet në erë makina e djalit të kryebashkiakut

Një shpërthim i fuqishëm i ndodhur dje pak pas orës 03:00 të mëngjesit në Kukës, në afërsi të "Union Bank" dhe shtëpisë së kryetarit të bashkisë ka tronditur banorët e një pjese të lagjes Nr.5 dhe ka shkaktuar disa dëme materiale. Persona ende të panjohur nga policia kanë hedhur në erë mjetin tip "Golf" autoveturë me targa Kosove 520KS447 në përdorin të djalit të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, i cili është student i vitit të parë në Tiranë. Policia thotë se automjeti nuk ka qenë në pronësi të të birit të Halilit, por ai ka ecur çdo ditë me të dhe njerëzit e kanë njohur si makina e djalit të kryetarit. Shpërthimi ka vënë në lëvizje menjëherë policinë lokale, por edhe atë qendrore, pasi vetëm 3-4 orë pas shpërthimit një grup ekspertësh të lëndëve plasëse ka udhëtuar me helikopter në Kukës dhe është marrë disa orë me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbetjeve të automjetit. Policia e Kukësit, nëpërmjet zëdhënësit, duke konfirmuar ngjarjen thotë se shpërthimi klasifikohet si tritol, të cilin persona që ende nuk dihen e kishin instaluar poshtë automjetit. Burime të policisë konfirmojnë gjithashtu se shpërthimi që ka ndodhur pak pas orës 03:00 ka shkatërruar plotësisht automjetin e parkuar dhe ka dëmtuar edhe tre lokale të afërta, (dy zyra noterësh dhe një aneks të zyrave të doganës, që ndodhen në katin e parë të pallatit), si dhe disa xhama të banesave të afërta. Edhe një automjet "Audi" që ndodhej rreth 20 m më tej ka dëmtuar parakolpin dhe një nga dyert. Për ngjarjen policia ka ngritur një grup hetimor, i cili po punon për të zbuluar pistat e mundshme që kanë çuar në shpërthimin e tritolit në makinë. Mësohet po ashtu se policia ka pyetur disa nga banorët e pallatit, si dhe ka siguruar provat materiale për hetime të mëtejshme, ndërsa ende nuk ka dhënë ndonjë version zyrtar të saj. Një nga drejtuesit e lartë të policisë tha se lidhur me ngjarjen "janë shoqëruar disa nga shokët e djalit të kryetarit të bashkisë dhe janë pyetur, por ende nuk ka ndonjë pohim, pasi mendohet që mund jetë rezultat i zënies mes tyre", tha zyrtari i lartë i Policisë së Qarkut të Kukësit. Banorët e pallatit ku ka qenë e parkuar makina e djalit të kryetarit të bashkisë, thonë se kanë dëgjuar shpërthimin e "tmerrshëm", siç e cilësojnë dhe janë frikësuar për jetën e tyre. Shumë i dëmtuar nga shpërthimi duket se ka dalë noteri Bexhet Gjana, lokali i të cilit është shkatërruar dhe policia ruan si variant rezervë edhe pistën që ai të ketë qenë objektivi. Javë më parë, vetë Gjana ka pasur një konflikt me një ish-funksionar të policisë për një shtesë të pallatit, por, gjithsesi, mbetet që pas hetimit kompetentët të vendosin për këtë. Pala e dëmtuar, pra pronarët e makinës, apo përdoruesit e saj, shprehen se nuk kanë pasur asnjë sherr me dikë mbi të cilin të dyshohet si autor dhe e klasifikon thjesht si një krim ordiner. "Nuk kam asnjë prononcim për shpërthimin, duhet të jetë ndonjë gjë krejt private apo ndonjë gabim", tha kryetari i bashkisë, Hasan Halili, duke mohuar që të kishte prapavijë politike. "Kjo gjë nuk ka ndodhur para bashkisë, kështu që nuk mund t‘i jap asnjë kuptim përveçse një krim ordiner", tha kryetari i bashkisë dhe shtoi se nuk ishte shumë i interesuar për ngjarjen, pasi siç tha, "le të merret me këtë punë policia" dhe se nuk kishte ndonjë sherr me dikë, mbi të cilin të binte dyshimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›